Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kronikë

Policia e Kosovës përkujton 26 herojtë e rënë në krye të detyrës

Policia e Kosovës përkujton 26 herojtë e rënë në krye të detyrës

Në një aktivitet përkujtimor sportiv të organizuar nga Sindikata e Policisë së Kosovës, në palestrën sportive “Shani Nushi” në Gjakovë, u nderuan 26 pjesëtarë të Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës.

Pjesëmarrja e zyrtarëve dhe fjalimi i zëvendësministrit Dugolli

Përveç zyrtarëve më të lartë të policisë, në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli. Gjatë fjalës së tij, ai shprehu mirënjohjen më të thellë për punën dhe sakrificën e policëve të rënë, si dhe për familjarët e tyre.

“Sakrifica e tyre na kujton se shërbimi në Policinë e Kosovës nuk është thjesht një profesion, por është një mision në shërbim të ligjit, të rendit, të sigurisë publike dhe të jetës së qytetarëve, prandaj lojërat tradicionale të Policisë së Kosovës janë një shprehje respekti, mirënjohjeje dhe kulture institucionale për ata që dhanë jetën në shërbim të vendit dhe qytetarëve të republikës sonë”, tha Enver Dugolli.

Në emër të Sindikatës së Policisë së Kosovës, pjesëtarëve policorë dhe garuesve të sotëm iu drejtua kryetari i saj, Avdi Hoti.

“Të dashur kolegë, uniforma që mbani sot nuk është vetëm uniformë, ajo përfaqëson përgjegjësi, sakrificë, guxim dhe besim. Prandaj mbajeni me krenari dhe dinjitet, sepse para nesh e mbajtën ata që sot nuk janë në jetë dhe dhanë jetën për Kosovën. Çdo garë dhe çdo duartrokitje sot duhet të jetë një shenjë respekti për kolegët tanë që sakrifikuan jetën e tyre për Kosovën”, tha Hoti.

Vlerat e kujtesës institucionale dhe garat përkujtimore

“Organizime të tilla dëshmojnë se kujtesa institucionale, solidariteti dhe respekti për ata që e dhanë jetën në shërbim të vendit dhe qytetarëve janë vlera që duhet t’i ruajmë dhe t’i përcjellim brez pas brezi”, tha nënkolonel Arbresh Ajvazi, drejtor i Departamentit të Rendit Publik.

Ndërkaq, Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha se “nderimi dhe përkujtimi i shëmbëlltyrës së 26 heronjve të Kosovës të cilët nuk e kursyen jetën e tyre në mbrojtje të vendit dhe qytetarëve të saj, do të jenë çdo herë në zemrat dhe mendjet tona”.

Në fillim të garës përkujtimore tradicionale, i pari që e preku topin në mesfushë ishte djali i heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës tha se në kuadër të këtij aktiviteti tradicional, përveç futbollit, Sindikata e Policisë së Kosovës ka organizuar gara edhe në volejboll, shah dhe qitje me armë, ndërsa kupa e këtyre garave i kushtohet heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha