PARIS, 23 tetor /ATSH-AFP/- Rreth 288 600 familje në Francë mbetën sot pa energji elektrike për shkak të stuhisë “Austen”, veçanërisht në rajonet Bretanjë, Pays de la Loire dhe Normandi.
Shpërndarja e ndërprerjeve të energjisë
Sipas të dhënave të kompanisë, 148 500 familje janë prekur në Bretanjë, 88 800 në Normandi, 49 600 në Pays de la Loire dhe 7 800 në rajonin Hauts-de-France.
Gjatë natës, në Bretanjë dhe në pjesën perëndimore të zonës së Kanalit të La Manshit, u regjistruan erëra me shpejtësi nga 120 deri në 140 kilometra në orë. Kjo është stuhia e parë e fortë e sezonit të vjeshtës në Francë.
Sipas shërbimeve meteorologjike, rajoni i Normandisë pritet të jetë ndër zonat më të prekura.
Era mund të arrijë shpejtësinë deri në 120 kilometra në orë në zonat e brendshme dhe 130 deri në 140 kilometra në orë pranë bregdetit.
Parashikohet që era të fillojë të dobësohet ndjeshëm vetëm në orët e vona të pasdites.
Masat dhe pasojat në qarkullim
Prefektura e rajonit Manche njoftoi se kishte vendosur kufizime për lëvizjen pranë vijës bregdetare, përfshirë ndalimin e hyrjes në plazhe, për shkak të rrezikut nga stuhia.
Shërbimi meteorologjik francez, “Météo-France” paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet edhe nga fakti se bimësia në disa zona është dobësuar nga thatësira e fortë gjatë verës.
Ndërkohë, të gjitha fluturimet e kompanisë ajrore “Transavia”, të planifikuara për paraditen e sotme nga aeroporti i Nantes, në perëndim të Francës, u anuluan.
Edhe në qytetin Saint-Malo, në perëndim të vendit, u mbyll përkohësisht sot në mëngjes zona e aktiviteteve të garës detare Route du Rhum.
Kjo zonë pritet të presë më shumë se një milion vizitorë përpara nisjes së garës së lundrimit me vela përtej Atlantikut, e planifikuar për 1 nëntor. //a.i/
Burimi: ata.gov.al









