Një burrë 32-vjeçar u arrestua këtë të hënë, pasi autoritetet gjetën në banesën e tij 47 pako me materiale piroteknike të kontrabanduara, të cilat dyshohet se i shiste individëve që marrin pjesë në protesta.
Arrestimi dhe materialet e gjetura
Sipas njoftimit të policisë, në pranga ka rënë Dionis Beqiri, 32 vjeç, për të cilin verifikimet treguan se nuk dispononte licencë për shitjen e fishekzjarrëve dhe as dokumentacionin shoqërues për blerjen e tyre.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që furnizojnë pjesëmarrës në tubimet e fundit me sende të kundërligjshme, për kryerjen e veprimeve të dhunshme kundër punonjësve të Policisë, si dhe kundër objekteve publike e private, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Fireworks 2”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi D. B., 32 vjeç.
Nga kontrolli në banesën e tij, në rrugën “Zela”, u gjetën 47 pako me fishekzjarre.
Nga verifikimet rezultoi se 32-vjeçari nuk ishte i pajisur as me licencë për shitjen e tyre dhe as me dokumentacionin shoqërues të blerjes.
Dyshimet dhe hetimet
Ndërkaq, nga hetimet dyshohet se ky shtetas u ka shitur shtetasve të maskuar, pjesëmarrës në tubimin e ditës së shtunë, lëndë piroteknike, për përdorim për veprime të dhunshme.
Hetimi vijon për të dokumentuar rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetas të tjerë të mund të jenë përfshirë në të.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Burimi: euronews.al










