Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Merz kërkon uljen e taksës së energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët në Gjermani

Merz kërkon uljen e taksës së energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët në Gjermani

MYNIH, 24 tetor /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi sot se qeveria e tij duhet të ulë kostot e energjisë për të gjithë konsumatorët në Gjermani gjatë vitit të ardhshëm, duke kërkuar uljen e taksës mbi energjinë elektrike për familjet dhe bizneset.

“Nëse është e mundur, dhe unë mendoj se është, taksa mbi energjinë elektrike duhet të ulet, në mënyrë që njerëzit të kenë sërish më shumë para në xhepat e tyre”, tha Merz.

Deklarata u bë gjatë një konference të Bashkimit Social Kristian (CSU), partisë simotër bavareze të Bashkimit Demokristian (CDU), të cilën ai e drejton.

Debati brenda koalicionit për financimin

Propozimi pritet të shtojë debatet brenda koalicionit qeverisës gjerman, veçanërisht për mënyrën e financimit të lehtësive fiskale.

Ministri i Financave, Lars Klingbeil, nga Partia Socialdemokrate (SPD), ka paralajmëruar se rritja e pritshme e të ardhurave nga taksat nuk do të mjaftojë për të financuar uljen e propozuar.

Klingbeil ka kërkuar që çdo propozim për uljen e taksave të shoqërohet me një plan të qartë financimi.

Sipas tij, qeveria duhet të përcaktojë se nga do të sigurohen fondet për të mbuluar kostot e masave të reja, në mënyrë që lehtësimi për konsumatorët të mos krijojë probleme të tjera në buxhetin e shtetit.

Masat e deritanishme dhe kritikat e CSU-së

Në marrëveshjen e koalicionit, partitë qeverisëse kanë rënë dakord të ulin çmimet e energjisë elektrike në Gjermani.

Megjithatë, për shkak të kufizimeve financiare, masa nuk është zbatuar ende për të gjithë konsumatorët.

Deri tani, lehtësitë tatimore kanë përfituar kryesisht sektorët e industrisë prodhuese, bujqësisë dhe pylltarisë.

Kreu i CSU-së, Markus Söder, e ka kritikuar vazhdimisht faktin që ulja e taksës nuk është shtrirë te të gjithë konsumatorët.

Debati lidhet me përpjekjet e qeverisë për të lehtësuar barrën e kostove të energjisë mbi familjet dhe ekonominë, ndërkohë që duhet të ruajë ekuilibrat e financave publike.

Nëse propozimi i Merz do të zbatohet vitin e ardhshëm, familjet dhe bizneset që aktualisht nuk përfitojnë nga lehtësitë mund të kenë një ulje të kostos së energjisë elektrike.

Megjithatë, vendimi përfundimtar do të varet nga marrëveshja brenda koalicionit dhe nga gjetja e burimeve të nevojshme financiare. /Ad.Ab./ a.jor.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha