Autoritetet doganore shqiptare kanë njoftuar Insajderin se 79.29 për qind e deklaratave të tranzitit për ngarkesat e kompanisë “Apetit” gjatë vitit 2026 kishin Brazilin si vend eksportues. Në total janë regjistruar 618 deklarata tranziti, prej të cilave 56 kanë kaluar në kontroll dokumentar dhe dy në kontroll dokumentar e fizik. Sipas Doganës, nuk është evidentuar asnjë parregullsi, ndërsa për mishin me afat të skaduar dhe ndryshimin e etiketave nuk është dhënë informacion.
Kompania “Apetit”, e cila u kap me 101 tonë mish me afat të skaduar me origjinë nga Brazili, rezulton të ketë pasur pjesën më të madhe të deklaratave të tranzitit të lidhura me Brazilin gjatë vitit 2026, sipas të dhënave që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të Shqipërisë i dërgoi Insajderit.
Në përgjigjen e saj për Insajderin, Dogana shqiptare ka bërë të ditur se gjatë periudhës së kërkuar janë regjistruar gjithsej 618 deklarata tranziti për dërgesat e nisura drejt Kosovës për llogari të kësaj kompanie.
Sipas të dhënave zyrtare, Brazili kryeson me 79.29 për qind të deklaratave të tranzitit, duke u pasuar nga Paraguai me 7.12 për qind, Mali i Zi me 5.02 për qind, Tajlanda me 3.40 për qind dhe Argjentina me 3.24 për qind.
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë regjistruar 1.13 për qind e deklaratave, nga Turqia 0.49 për qind dhe nga Mbretëria e Bashkuar 0.32 për qind.
Të dhënat tregojnë se Brazili ishte vendi kryesor eksportues për ngarkesat e destinuara për kompaninë, bazuar në deklaratat e tranzitit të regjistruara nga autoritetet doganore shqiptare.
618 deklarata tranziti, 58 kontrolle dokumentare
Dogana shqiptare ka bërë të ditur se nga 618 deklaratat e regjistruara, 56 i janë nënshtruar kontrollit dokumentar, dy kontrolleve dokumentare dhe fizike, ndërsa 560 janë kontrolluar përmes skanerit.
Këto shifra tregojnë se autoritetet doganore kanë përdorur disa forma kontrolli gjatë kalimit të ngarkesave nëpër sistemin doganor shqiptar.
Megjithatë, në përgjigjen e saj, Dogana nuk ka dhënë hollësi për rezultatet e secilit kontroll dhe as nuk ka identifikuar ndonjë parregullsi konkrete të konstatuar në ngarkesat e kompanisë “Apetit”.
Për pyetjen se çfarë parregullsish janë konstatuar në Portin e Durrësit, institucioni ka deklaruar se, sipas të dhënave të pasqyruara në sistemin e administratës doganore shqiptare, për deklaratat e tranzitit të regjistruara gjatë periudhës së kërkuar nuk rezultojnë penalitete të vendosura nga autoritetet doganore.

Autoritetet e Malit të Zi ndaluan në Portin e Tivarit katër kontejnerë me gjithsej rreth 103 tonë mish viçi me afat të skaduar, të destinuar për kompaninë kosovare “Apetit”. Në rastin e parë, më 15 shtator, u ndaluan tre kontejnerë me 77.8 tonë mish, ndërsa më 24 shtator u ndalua edhe një kontejner tjetër me 24.65 tonë.
Në rastin e tre kontejnerëve të parë, autoritetet malazeze kanë deklaruar se gjatë kontrollit janë gjetur etiketa origjinale ku ishte shënuar afati i skaduar i përdorimit, ndërsa më pas ato dyshohet se ishin zëvendësuar me etiketa me një afat tjetër. Për rastin e dytë, autoritetet kanë konstatuar se mishi kishte afat përdorimi deri më 14 maj 2026.
Burimi: insajderi.org









