Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7 ballë ka goditur rajonin e Tibetit në Kinë, duke shkaktuar të paktën 16 viktima, duke lënë 54 persona të tjerë të plagosur dhe duke rrëzuar qindra banesa në qytetin verior të Nagqu dhe rrethinat e tij, sipas mediave zyrtare.
Tërmeti ndodhi të enjten në orën 22:33 me kohën lokale, me epiqendrën rreth 191 kilometra në verilindje të Nagqu, në një zonë me densitet të ulët popullsie dhe lartësi të madhe në Tibetin verior.
Tërmeti më i fuqishëm në pesë vjet
Ky ishte tërmeti më i fuqishëm që ka prekur rajonin në pesë vjet, ku u shembën afërsisht 339 shtëpi dhe 20 stalla për bagëti. Presidenti kinez Xi Jinping kërkoi angazhim të plotë në operacionet e shpëtimit dhe në ofrimin e ndihmës mjekësore.
Deri tani, më shumë se 1,600 persona janë angazhuar në terren për operacione kërkimi dhe shpëtimi, ndërsa ndihmat emergjente përfshijnë 1,000 njësi banimi të parafabrikuara, 3,000 tenda, shtretër të palosshëm, fenerë dhe veshje dimërore që janë dërguar në zonë.
Pasojat dhe masat e ndërmarra
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara regjistroi të paktën shtatë lëkundje pasuese me magnitudë nga 4.3 deri në 5.2, të gjitha në një thellësi prej 10 kilometrash. Tërmeti kryesor goditi në një thellësi prej 18 kilometrash. Rrëshqitjet e shkëmbinjve të shkaktuara nga tërmeti i detyruan autoritetet të mbyllnin një pjesë të Autostradës Kombëtare 317 për të gjitha automjetet, përveç atyre të emergjencës, shpëtimit dhe atyre zyrtare, ndërsa ekipet punuan për të pastruar mbeturinat.
Autoritetet lokale hekurudhore ndaluan shërbimet e trenave nëpër zonën e prekur si masë paraprake. Agjencia shtetërore e lajmeve e Kinës, Xinhua, raportoi se komunikimi është ndërprerë në disa zona të goditura nga tërmeti.
Burimi: www.albeu.com










