Shërbimet e zbulimit italiane po hetojnë se si u planifikuan dhe u shpërndanë thirrjet për protesta të dhunshme në Milano, Torino dhe Bolonjë, ndërkohë që ekzistojnë dyshime për një ndërhyrje të mundshme nga jashtë.
Sipas një shkrimi të botuar nga La Repubblica, hetimet po fokusohen te shpërndarja e mesazheve në rrjetet sociale, ku algoritmet dhe bot-et mund të kenë kontribuar që thirrjet për protestë të arrinin te të rinjtë më të prirur ndaj revoltës. Analistët dyshojnë për një ndikim të huaj dhe po shqyrtojnë në veçanti gjurmën ruse, por përgjegjësitë nuk janë përcaktuar ende.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, i ka përshkruar ngjarjet si pjesë e një “lufte hibride”, e cila sipas tij zhvillohet përmes mjeteve jo konvencionale, duke përfshirë TikTok-un, YouTube-in dhe platforma të tjera sociale.
Sipas Crosettos, ndikimi përmes këtyre platformave mund të ketë ndikuar në formësimin e pikëpamjeve dhe sjelljes së të rinjve, duke i vënë ato në kundërshtim me rregullat demokratike.
Edhe ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, ka kërkuar që çështja të hetohet më tej. Ai ka theksuar se, ndonëse mobilizimi i të rinjve dukej spontan, mënyra se si u zhvilluan ngjarjet ngre dyshime për organizim dhe përpjekje për destabilizimin e rendit publik.
Megjithatë, brenda qeverisë italiane ka edhe qëndrime kundërshtuese. Zëvendëskryeministri Matteo Salvini ka hedhur poshtë dyshimet për përfshirjen e Rusisë, duke argumentuar se vëmendja duhet të përqendrohet te rendi publik dhe parandalimi i dhunës.
Ndërkohë, analizat e inteligjencës pritet të shqyrtohen edhe në nivel institucional, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin se kush e publikoi fillimisht thirrjen për protestë dhe si u përhap ajo në mënyrë kaq të shpejtë në rrjetet sociale.
Burimi: euronews.al










