Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Bota

Droni rus bombardoi parkun e lojërave në Kharkiv të Ukrainës, gjashtë persona humbën jetën

Droni rus bombardoi parkun e lojërave në Kharkiv të Ukrainës, gjashtë persona humbën jetën

Autoritetet ukrainase njoftuan të martën se gjashtë persona, përfshirë fëmijë, kanë humbur jetën pas një goditjeje me dron rus në një park të rajonit të Kharkivit, në verilindje të Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e dënoi këtë sulm duke e quajtur “mizori”, dhe shkroi në Facebook se droni “goditi drejtpërdrejt njerëzit në një park pranë një kafeneje”.

Sipas tij, mes viktimave ishte edhe një vajzë njëvjeçare, dhe ai ripublikoi një fotografi të një vajze të vogël në një karrocë fëmijësh.

Sulmi në parkun qendror të Nova Vodollagës, në rajonin verilindor të Kharkivit, shkaktoi edhe vdekjen e nënës së vajzës.

Ky qytet, i cili ndodhet pranë vijës së frontit, kishte rreth 10.000 banorë përpara se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Guvernatori i rajonit të Kharkivit, Oleg Synegubov, deklaroi në Telegram se mes viktimave janë tre fëmijë, ndërsa 15 persona të tjerë janë plagosur, shtatë prej të cilëve, sipas tij, janë fëmijë.

Në një postim të mëparshëm në Telegram, Synegubov dënoi “një tjetër akt terrorist nga Federata Ruse”.

“Armiku godet një park rekreativ në mes të ditës, duke e ditur se aty nuk ka fare infrastrukturë ushtarake”, tha ai.

Edhe policia e rajonit të Kharkivit publikoi në Telegram fotografi ku shiheshin një karrocë e djegur, pajisje të dëmtuara të këndit të lojërave dhe një strukturë prej druri në prag të shembjes.

Ndërkohë, Zelensky përsëriti thirrjen drejtuar aleatëve të Kievit që t’i sigurojnë vendit më shumë kapacitete të mbrojtjes ajrore, në një kohë të rritjes së tensioneve me presidentin amerikan, Donald Trump.

“Kërkojmë që sanksionet ndaj Rusisë të mbeten në fuqi për sa kohë që vazhdojnë vrasjet. Kërkojmë që Amerika të jetë e fortë”, tha Zelensky, i cili më herët ka kritikuar vendimin e Uashingtonit për të hequr disa sanksione ndaj Moskës.

Ndërkaq, autoritetet lokale në rajonin lindor të Luhanskut, të pushtuar nga Rusia, thanë se tre persona u vranë të hënën, kur një sulm ukrainas goditi një automjet për transportin e arkivoleve.

“Një sulm ukrainas shënjestroi një automjet të shërbimit funeral që po transportonte një person të vdekur. Ky sulm u mori jetën tre personave”, tha në Telegram Leonid Pasechnik, udhëheqësi i rajonit i instaluar nga Moska.

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha