Qytetarët e Maqedonisë do të kenë mundësinë që në telefon të përdorin kartën e identitetit dhe patentën e shoferit, pasi zbatimi zyrtar i “portofolit elektronik” fillon të enjten.
Aplikacioni do të paraqitet zyrtarisht të mërkurën, më 28 tetor. Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, e vlerësoi atë si një platformë të sigurt, e cila u mundëson përdoruesve të mbrojnë më mirë të dhënat e tyre personale.
Mbrojtja e të dhënave personale
Sipas tij, qytetarët nuk do të detyrohen më të shfaqin të gjithë informacionin që përmbajnë dokumentet plastike, sa herë që duhet të identifikohen në një bankë, bar apo në një ambient tjetër.
“Përdoruesit do të kenë mundësinë të përcaktojnë vetë se cilat të dhëna duan të ndajnë dhe kjo do të bëhet në mënyrë të sigurt. Informacioni do të transmetohet përmes një kodi QR të krijuar për një përdorim të vetëm. Kodi skanohet dhe të dhënat i kalojnë personit tjetër vetëm pas miratimit tuaj. Pas 10 deri në 15 sekondash, QR-ja skadon dhe nuk mund të përdoret sërish. Sigurisë i kemi kushtuar vëmendje të veçantë”, deklaroi Andonovski.
Hapi i parë drejt portofolit digjital evropian
Ministri nënvizoi se portofoli elektronik përbën hapin e parë drejt krijimit të portofolit digjital evropian, i cili synon digjitalizimin e plotë të dokumenteve.
“Ky është një nisje shumë e mirë, pasi të dhënat bazë të kartës së identitetit dhe patentës së shoferit do të jenë të qasshme për qytetarët. Shpresoj që, krahas zhvillimit të portofolit celular, të shtojmë edhe shërbime, mundësi dhe dokumente të tjera”, tha Andonovski para nisjes së panelit “Parakushtet dhe sfidat për digjitalizimin e përshpejtuar të sektorit privat”.
Burimi: www.albeu.com









