Dy vëzhgues të rangut të lartë ushtarakë raportojnë se kanë parë një objekt misterioz të zi në formë trekëndëshi, i cili fluturonte me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe në zonën perëndimore të Shteteve të Bashkuara në fillim të këtij viti. Ky është rasti më i fundit në vargun e raportimeve për UFO-t, të cilat u publikuan të premten nga administrata Trump.
Sipas raportit që ata dorëzuan për Departamentin e Mbrojtjes, objekti i paidentifikuar nuk kishte asnjë nga tiparet e një avioni ushtarak konvencional. Ai u zhduk befas dhe pa zhurmë brenda disa sekondave, pa lënë pas as gjurmë gazrash nga motori dhe as ndonjë provë tjetër që të dëshmonte ekzistencën e tij.
Vendndodhja e saktë e këtij episodi është mbajtur e fshehtë në dokument.
Fenomeni i paidentifikuar anormal
Fenomeni i cilësuar si “fenomen anormal i paidentifikuar” (UAP), term që ka zëvendësuar UFO-n në rrethet ushtarake, qeveritare dhe shkencore, u përshkrua nga vëzhguesit si i ngjashëm me një dron me krahë në formë trekëndëshi dhe me përmasa nga 2,75 deri në 4,5 metra.
Ata vlerësuan se shpejtësia e tij ishte rreth 2.900 km/orë.
Ashtu si me shumë dokumente të tjera të klasifikuara për UFO-t që Pentagoni ka publikuar që nga maji, shumë detaje mbeten të paqarta.
Dokumentet e Pentagonit
Në dosjen për “trekëndëshat e zinj” përfshihen nëntë imazhe identike të të njëjtit kanion të paidentifikuar, mbi të cilat janë shtuar në mënyrë të thjeshtë silueta të vogla trekëndore, me qëllim që të paraqitet lëvizja e objektit që vëzhguesit thanë se kishin parë.
Pas një vale fillestare, dokumentet e publikuara nga Pentagoni gjatë mandatit të dytë të Trumpit janë bërë më të rralla muajt e fundit dhe dukshëm më të pakta që kur presidenti amerikan deklaroi në shkurt se po urdhëronte zbulimin e plotë të informacionit që qeveria disponon për UFO-t dhe për kërkimet mbi jetën jashtëtokësore përtej planetit tonë.
Kjo nismë erdhi pas akuzave të ngritura në Kongres në vitin 2023 nga një ish-zyrtar i inteligjencës, i cili pretendoi se administratat e njëpasnjëshme kishin mbuluar të vërtetën dhe se qeveria zotëronte mjete fluturuese jashtëtokësore të rrëzuara.
Publikimi përmban më pak se 25 dokumente tekstuale dhe asnjë video apo fotografi.
Burimi: shqiptarja.com










