Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Sport

Yamal dhe Pedri në krye, dhjetë lojtarë të Barcelonës sfidojnë vendimin e Flickut para El Clásicos

Yamal dhe Pedri në krye, dhjetë lojtarë të Barcelonës sfidojnë vendimin e Flickut para El Clásicos

Hansi Flick u kishte dhënë lojtarëve të Barcelonës një ditë pushim pas ndeshjes me Paris Saint-Germainin, mirëpo dhjetë prej tyre zgjodhën të shfaqeshin vullnetarisht në qendrën stërvitore të klubit, për të vijuar punën para përballjes me Real Madridin.

Siç raporton gazeta katalanase “Sport”, mes futbollistëve që shkuan në Ciutat Esportiva Joan Gamper ishin Lamine Yamal, Pedri, Fermín López, Gerard Martín, Xavi Espart dhe portieri Wojciech Szczęsny.

Aty u paraqitën edhe disa lojtarë të lënduar, të cilët vijuan programet e tyre të rikuperimit, përcjell “Gazeta Express”.

Szczęsny, shembull i përkushtimit

Barcelona ishte kthyer nga Parisi rreth orës 03:30 të mëngjesit, pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër PSG-së.

Pas seancës së rikuperimit të së mërkurës, Flick vendosi t’u jepte lojtarëve një ditë pushimi, në mënyrë që të rikuperoheshin fizikisht para El Clásicos të së dielës.

Megjithatë, disa prej tyre preferuan të vijonin punën. “Sport” e veçoi posaçërisht Szczęsnyn, i cili njihet për përkushtimin e tij dhe paraqitet rregullisht në qendrën stërvitore, edhe kur seancat janë fakultative.

Në stërvitje u paraqitën edhe Pedri, Fermín López dhe Gerard Martín, të cilët shfrytëzuan ditën për të punuar në aspektin fizik.

Të lënduarit punojnë për rikthim, Koundé mbetet në dyshim

Roony Bardghji, Andreas Christensen, Eric García dhe Dani Olmo vijuan programet e rikuperimit nga lëndimet.

Edhe Jules Koundé u paraqit në qendrën stërvitore, duke bërë përpjekje për t’u rikthyer në kohë për duelin me Real Madridin, ndonëse aktivizimi i tij ende nuk është i sigurt.

Vëmendje të veçantë mori edhe i riu Xavi Espart, i cili shënoi kundër PSG-së dhe zhvilloi një paraqitje shumë të mirë.

Pavarësisht ditës së pushimit, ai vendosi të vijonte punën, duke treguar përkushtimin e tij.

Barcelona do t’i zhvillojë seancat e fundit kolektive të premten dhe të shtunën, përpara përballjes së shumëpritur me Real Madridin. /Express

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha