Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Sport

Protestat në Tiranë, Jurgen Uldedaj anulon ndeshjen kundër Caparello

Protestat në Tiranë, Jurgen Uldedaj anulon ndeshjen kundër Caparello

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ka bërë me dije se është shtyrë ndeshja për mbrojtjen e titullit botëror IBO World Cruiserweight Champion, e cila ishte parashikuar të zhvillohej më 23 tetor në Tiranë.

Jurgen Uldedaj njofton shtyrjen e ndeshjes

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Uldedaj informoi se përballja do të zhvillohet në një datë të re gjatë vitit 2026. Sipas tij, vendimi është marrë për shkak të një dëmtimi të lehtë të pësuar gjatë sparring-ut, por edhe për shkak të situatës së krijuar në vend.

Shtyrja, siç bëri të ditur boksieri, është koordinuar me organizatën IBO dhe është vendosur me mirëkuptimin e kundërshtarit të tij, Blake Caparello.

Në mesazhin e tij, Uldedaj theksoi se situata që po kalon Shqipëria ka ndikuar në këtë vendim, duke nënvizuar se për të vendi është më i rëndësishëm se çdo sukses personal në ring.

“Për mua, Shqipëria është mbi çdo titull dhe fitore personale. Nuk do ta ndieja të drejtë të festoja në ring, ndërsa bashkëkombësit e mi protestojnë për të drejtat e tyre dhe vendi kalon momente të vështira”, u shpreh boksieri.

Uldedaj shprehu gjithashtu respekt për të drejtën e qytetarëve për të protestuar, ndërsa vlerësoi edhe punën e Policisë së Shtetit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Synimi për titullin botëror në atdhe mbetet i pandryshuar

Pavarësisht shtyrjes, kampioni shqiptar theksoi se ëndrra e tij për të mbrojtur titullin botëror në atdhe mbetet e pandryshuar. Ai premtoi se do të rikthehet në ring për të ngritur lart flamurin kuqezi, duke shpresuar që kjo ngjarje të zhvillohet në një moment më të përshtatshëm për vendin.

Në përfundim të mesazhit, Uldedaj bëri thirrje për qetësi dhe respekt, duke falënderuar të gjithë tifozët dhe mbështetësit për mirëkuptimin.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha