Pas njoftimit të Vllaznisë për largimin e tij, Ergi Borshi reagoi me një postim të gjatë në Facebook, ku foli për përfundimin e bashkëpunimit me klubin shkodran. Ai u nda nga kuqeblutë pas pesë vitesh, ndërsa ndryshimi i plotë i stafit teknik nga drejtuesit ishte një prej arsyeve të këtij vendimi.
Reagimi i Ergi Borshit
Borshi, ish-zëvendëstrajner i skuadrës, shprehu keqardhje për ndarjen, duke theksuar se largimi nuk ishte zgjedhja e tij. Pengu që, sipas tij, mbetet është mosfitimi i titullit kampion.
Ai nënvizoi se Vllaznia nuk përbën vetëm një vend pune, por është pjesë e jetës dhe shtëpia e tij. Për këtë arsye, Borshi e cilësoi ndarjen si një “mirupafshim”, duke mos e përjashtuar mundësinë e rikthimit në të ardhmen.
Postimi i Ergi Borshit:
Përshëndetje!
Pas pesë vitesh te skuadra ime e zemrës, ku u përpoqa të jap më të mirën, erdhi koha që rrugët tona të ndahen këtu. Edhe pse jo me dëshirën time, futbolli i sjell të gjitha.
Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë tifozët kuqeblu për mbështetjen e madhe dhe respektin që më kanë treguar mua, si edhe klubit në çdo hap. Falënderim edhe për kolegët dhe pjesëtarët e stafit me të cilët punova krah për krah, veçanërisht drejtorin Sinani dhe trajnerin Martini. Pengu i vetëm është titulli kampion.
Mirënjohje për çdo futbollist me të cilin kam punuar, për emocionet, respektin dhe profesionalizmin e treguar brenda dhe jashtë fushës.
Falënderoj gjithashtu presidentin dhe ish-drejtorin Osmani që ma besuan këtë mundësi.
Nuk mund të mos përmend familjen dhe miqtë e mi, të cilët më kanë mbështetur pa u lëkundur, sidomos në ditët më të vështira.
Në fund, por jo për nga rëndësia, falënderoj djemtë e mrekullueshëm të VLLAZNIT ULTRAS. Pavarësisht vështirësive apo rezultateve, ata nuk na lanë asnjëherë vetëm dhe qëndruan pranë nesh.
Nuk po ju them lamtumirë, sepse për mua Vllaznia nuk është thjesht një vend pune. Ajo është pjesë e jetës sime, është shtëpia ime.
Mirupafshim!
Një jetë
Dy ngjyra
Një skuadër
Burimi: www.albeu.com










