Presioni ndaj Michael Carrickut te Manchester Unitedi është rritur ndjeshëm pas nisjes së dobët të sezonit, sidomos pas humbjes në Ligën e Kampionëve kundër Comos.
Një pjesë e tifozëve mendojnë se disa lojtarë duhet të largohen nga klubi, ndërsa drejtuesit duhet të emërojnë një trajner të ri në krye të skuadrës.
Trajtimi i lojtarëve nën Amorim
Ruben Amorim ishte trajneri i fundit që u përball me të njëjtin vëmendje dhe trajtim si ai që po përjeton tani Carrick.
Para sezonit të tij të parë të plotë si trajner i Manchester Unitedit, Amorim dërgoi Marcus Rashfordin, Jadon Sanchon, Alejandro Garnachon, Antonyn dhe Tyrell Malacian në grupin e lojtarëve të padëshiruar, i njohur si “bomb squad”.
Tani Malacia ka folur për mënyrën se si u trajtuan këta lojtarë gjatë asaj periudhe të karrierës së tyre.
Në një intervistë për “BBC”, Malacia ka komentuar trajtimin e pesë lojtarëve që Amorim i dërgoi të stërviteshin të vetëm dhe me ekipet e të rinjve në “Carrington”.
Trajneri portugez ua bëri të qartë të pestëve se ishin të lirë të largoheshin nga “Old Trafford”.
Antony u transferua te Real Betis, Garnacho iu bashkua Chelseat në një marrëveshje të përhershme, Rashford u largua drejt Barcelonës, ndërsa Sancho kaloi te Aston Villa, të dy në formë huazimi.
Megjithatë, Malacia ishte lojtari i vetëm që nuk arriti të siguronte largimin nga Manchester Unitedi dhe mbeti i bllokuar me ekipet e të rinjve, pa luajtur asnjë ndeshje me ekipin e parë deri më 26 dhjetor, vetëm 10 ditë para se Amorim të shkarkohej.
Mbrojtësi holandez besonte se do ta kishte mundësinë ta bindte Amorimin dhe do t’i jepej kohë për të konkurruar për një vend në skuadër, pasi ishte rikthyer në formë të plotë fizike.
Megjithatë, trajneri portugez e dërgoi në grupin e lojtarëve të padëshiruar.
Malacia tha: “Nuk e di nga erdhi kjo. Nuk e di nëse ishte vendim i Rubenit apo i dikujt më lart, apo diçka tjetër, por unë nuk thashë kurrë asgjë për këtë. Thjesht vazhdova të punoja dhe të bëja gjënë time, edhe pse ndonjëherë ishte e vështirë të stërvitesha në një grup prej pesë lojtarësh. Në një moment, Marcus, Garnacho dhe madje edhe Antony u larguan. Pastaj mbeta vetëm, duke u stërvitur me ekipin e dytë, madje edhe me ekipin U-18 dhe grupmoshat më të reja. Është e vështirë. Është e vështirë nga ana mendore. Mund të kisha thënë: ‘Në rregull, nuk do të vij në stërvitje’. Por mendova: ‘Kjo nuk do të më ndihmojë’. Do t’u jepte një arsye për të thënë: ‘Ja pse je me ta ose po stërvitesh i vetëm’. Thjesht e mbajta kokën ulur dhe vazhdova të punoja. Gjithmonë kam qenë në formë të mirë fizike që nga rikthimi pas lëndimit, por njerëzit nuk e dinin këtë. Ata thoshin: ‘Pse nuk po luan?’”.
Fundi i rrugës te Manchester Unitedi
Rikthimi i Malacias në ekipin e parë, 10 ditë para shkarkimit të Amorimit, si dhe emërimi i Carrickut, mund ta kenë bërë mbrojtësin të besonte se do të kishte një fillim të ri te klubi.
Megjithatë, kjo nuk ndodhi, pasi ai bëri vetëm edhe dy paraqitje të tjera si zëvendësues për Manchester Unitedin gjatë pesë muajve të mbetur të sezonit. Më pas, në fund të sezonit, ai u largua nga klubi pas skadimit të kontratës. Tani karrierën e vazhdon në MLS, te FC Cincinnati.
Duke folur për muajt e fundit te klubi, Malacia tha: “Pata një bisedë të mirë me Michaelin (Carrickun) kur erdhi. Natyrisht, doja të largohesha, por më pas ndodhën disa lëndime dhe nuk munda të largohesha për shkak të numrit të lojtarëve në skuadër. Ishte e vështirë ta pranoja këtë. Mendoja: ‘Nuk do të luaj, por as nuk më lejohet të largohem, kështu që çfarë kuptimi ka të qëndroj këtu?’ Pastaj ai ma shpjegoi situatën. Në fund të fundit, secili është aty për veten e tij. Unë, para së gjithash, jam aty për veten time dhe pastaj, natyrisht, për skuadrën. Por edhe trajneri është aty për veten e tij, sepse duhet ta shpëtojë vendin e punës ose ta bëjë mirë punën e tij. Megjithatë, nuk pendohem për asgjë. Kalova shumë mirë në sezonin tim të parë dhe njerëzit që punonin aty, si dhe lojtarët që takova, ishin të mrekullueshëm. Prandaj, jo, e shijova vërtet kohën time aty”./GazetaExpress/
Burimi: www.gazetaexpress.com









