Arben Fetoshi, drejtor i Institutit “Octopus”, theksoi se të kuptuarit e natyrës hibride të konfliktit gjeopolitik është kusht për të përcaktuar me saktësi interesat aktuale shqiptare në Ballkan.
Këto deklarata ai i bëri në Rrethin Liberal të Dardhës në Korçë, gjatë sesionit “Gjeopolitika e re dhe ekonomia globale”, ku studiues, figura publike dhe sipërmarrës shqiptarë nga vendet e Ballkanit po diskutojnë sfidat e rendit liberal dhe pasojat e ndryshimeve gjeopolitike në hapësirën shqiptare.
Fetoshi: lufta sot nuk është vetëm ushtarake
“Sot lufta është më shumë se një përplasje ushtarake, prandaj duhet të kuptojmë se jemi në luftë. Nëse nuk nisemi nga kjo premisë, nuk mund t’i përcaktojmë interesat aktuale shqiptare në Ballkan”, tha Fetoshi.
Duke iu referuar koncepteve të “krizës së legjitimitetit” të Jürgen Habermasit dhe “krizës së përfaqësimit”, të trajtuar në veprën Post-Democracy të Colin Crouch-it, ai foli për shkëputjen e sistemit politik nga pritjet dhe nevojat reale të qytetarëve.
Megjithatë, sipas Fetoshit, përtej këtyre vështirësive të demokracisë, rreziqet kryesore me të cilat përballen sot shqiptarët lidhen me sigurinë.
Rreziqet e operacioneve hibride dhe nevoja për përgjigje të përbashkët
Ai paralajmëroi për operacione hibride që synojnë destabilizimin dhe dobësimin e besimit në orientimin dhe përkatësinë euroatlantike të shqiptarëve.
Në këtë kontekst, Fetoshi kërkoi një qasje gjithëpërfshirëse të shoqërisë civile, akademisë, bizneseve dhe politikës për ndërtimin e një përgjigjeje të përbashkët ndaj këtyre sfidave.
Sipas tij, kjo përgjigje duhet të mbështetet në qartësi strategjike dhe në forcimin e partneriteteve brenda përcaktimit euroatlantik.
“Çdo rrugë tjetër është gabim dhe me pasoja fatale për shqiptarët”, theksoi Fetoshi.
Burimi: www.dukagjini.com










