Një incident i beftë ka bërë që Rozana Radi të mbetet disi larg syrit të publikut gjatë këtyre ditëve të fundit. Këngëtarja ka zgjedhur t’u tregojë ndjekësve të saj çfarë ka ndodhur, duke postuar edhe një foto që pasqyron gjendjen e syrit të saj të djathtë.
Nëpërmjet disa publikimeve në Instastory, artistja ka sqaruar se është lënduar gjatë një aktiviteti fizik, pasi ka rrëshqitur dhe ka pësuar një dëmtim në zonën e syrit. Ky incident shpjegon edhe pse ajo është shfaqur më rrallë në publik dhe ka mbajtur syze kohët e fundit.
Në foton e publikuar, syri i djathtë i Rozanës duket i skuqur dhe i fryrë, ndërsa vërehen edhe shenja të trajtimit. Megjithatë, në një foto tjetër para pasqyrës, ajo shfaqet duke bërë shenjën e fitores me gishta, duke dhënë një mesazh optimizmi.
Artistja ka bërë të ditur se po merr kujdesin e duhur mjekësor dhe se gjendja e saj po monitorohet nga mjekët e spitalit.
“Gjatë aktivitetit fizik rrëshqita dhe pësova një dëmtim në zonën e syrit të djathtë”, ka sqaruar ajo, duke shtuar se periudha më e vështirë tashmë ka kaluar dhe se po pret të shërohet plotësisht.
Pavarësisht situatës, Rozana nuk i ka ndërprerë angazhimet profesionale. Ajo ka treguar se ka vijuar xhirimet edhe pse lëndimi i ka shkaktuar vështirësi, duke pranuar se është dashur të shmangte makijazhin për rreth një muaj.
“Kam xhiruar me këtë sy që shikoni. Nuk duhet të isha lyer për një periudhë njëmujore, por datat ishin të caktuara dhe duhej të xhiroja patjetër”, ka treguar këngëtarja.
Një tjetër çështje për të cilën Rozana ka dashur të sqarojë ndjekësit është pjesëmarrja e saj në festivalin “Kënga Magjike”. Pas disa pikëpyetjeve nëse dëmtimi mund të ndikojë në ngjitjen e saj në skenë, ajo ka konfirmuar se nuk ka asnjë plan për t’u tërhequr.
Madje, artistja është shprehur se do të vazhdonte të konkurronte edhe nëse do t’i duhej të performonte vetëm me njërin sy. Ajo ka pranuar se ënjtja do të kërkojë kohë për t’u larguar, por ka theksuar se kjo nuk do të ndikojë as te kënga dhe as te performanca e saj.
Kështu, pavarësisht dëmtimit dhe kohës që i nevojitet për t’u rikuperuar, Rozana Radi duket e vendosur të mos lejojë që kjo e papritur të ndryshojë planet e saj për “Këngën Magjike”. Ndërkohë, ajo u ka shprehur mirënjohjen të gjithë atyre që janë interesuar për gjendjen e saj shëndetësore.
Burimi: bordo.al









