Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Showbiz

I riu për rolin e James Bond, tre aktorët në garë për 007

I riu për rolin e James Bond, tre aktorët në garë për 007

Procesi për të zgjedhur aktorin që do të marrë rolin e James Bond pas Daniel Craig është tashmë në etapën e tij të fundit. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, provat përcaktuese pritet të mbahen këtë fundjavë, ndërsa besohet se nga tre deri në pesë aktorë kanë arritur në fazën finale të garës.

Emrat kryesorë në garë për rolin e Bond

Jack Lowden, Callum Turner dhe Josh O’Connor janë tre emrat që përmenden më shpesh në raportimet e fundit. Sipas The Hollywood Reporter, testet mund të nisin që këtë të premte dhe do të përfshijnë tri faza kryesore: skenat e aksionit, prezantimin para kamerës dhe interpretimin e dialogëve.

Fillimisht, audicionet ishin planifikuar për në fillim të tetorit, por, sipas Deadline, ato u shtynë për shkak të përplasjeve në axhendat e aktorëve. Të njëjtat burime raportojnë se të paktën katër kandidatëve u janë dërguar oferta për testet përfundimtare, ndërsa identiteti i njërit prej tyre vazhdon të mbetet mister.

Jack Lowden, i njohur për rolin e tij në serialin Slow Horses, duket se po fiton terren në këtë garë.

Ndërkohë, Callum Turner, i njohur nga Masters of the Air, është përmendur prej muajsh si një kandidat i mundshëm. Disa fansa kanë spekuluar madje se bashkëshortja e tij, këngëtarja Dua Lipa, mund të interpretojë këngën kryesore të filmit të ri, por kjo mbetet thjesht hamendësim.

Në garë është edhe Josh O’Connor, i cili u bë i njohur për interpretimin e Princit Charles në serialin The Crown dhe ka luajtur në filmin Wake Up Dead Man: A Knives Out Mystery. Ai konsiderohet një alternativë disi e papritur, pasi emri i tij nuk ishte ndër më të përfolurit në fillim të procesit.

Kandidatë të tjerë dhe planet për filmin e ri

Gjatë muajve të fundit, për rolin e 007 janë përmendur edhe Aaron Taylor-Johnson, James Norton, Paul Mescal, Harris Dickinson dhe Jack Barton. Ndërkohë, Jack O’Connell, i cili ishte konsideruar gjithashtu një kandidat i mundshëm, mund të mos jetë më në garë. Sipas raportimeve, as Jacob Elordi nuk pritet të marrë pjesë në testet përfundimtare.

Megjithatë, informacionet e publikuara nga mediat nuk përputhen plotësisht dhe ende nuk ka një konfirmim zyrtar për emrat që do të kalojnë në fazën e fundit.

Amazon MGM Studios, e cila tashmë kontrollon të ardhmen krijuese të sagës, njoftoi në maj se procesi i përzgjedhjes kishte nisur. Në gusht, producentja Amy Pascal deklaroi se fundi i vitit 2026 është një periudhë e mundshme për shpalljen e aktorit të ri.

Pascal ka theksuar se përzgjedhja po kryhet me shumë kujdes, pasi Daniel Craig ka lënë pas një trashëgimi të vështirë për t’u pasuar. Aktori britanik interpretoi Bond-in për herë të fundit në filmin No Time to Die, të publikuar në vitin 2021.

Filmi i 26-të i sagës do të drejtohet nga Denis Villeneuve, regjisori i Dune, ndërsa skenari po shkruhet nga Steven Knight, krijuesi i Peaky Blinders. Knight ka konfirmuar se drafti i parë i skenarit ka përfunduar dhe është shprehur entuziast për projektin. Xhirimet pritet të nisin në vitin 2027, ndërsa premiera parashikohet për vitin 2028.

Burimi: bordo.al

Të fundit Të gjitha