Aktorja Jenna Ortega ka ndarë mendimet e saj për të ardhmen, duke lënë të nënkuptohet se pas mbylljes së serialit të njohur “Wednesday”, mund të marrë një distancë nga projektet televizive për një farë kohe.
Në një bisedë në podcastin “Happy Sad Confused” të Josh Horowitz, Ortega tregoi se nuk ka zhvilluar bisedime të shumta për t’u përfshirë në franshiza të reja, pasi dëshiron t’i hapë rrugë mundësive të tjera në karrierën e saj.
“Mendoj se ajo që më takon do të më gjejë vetë. Pas ‘Wednesday’, ndoshta do të qëndroj larg televizionit për një periudhë”, tha aktorja.
Karriera e Jenna Ortega
Ortega, e cila filloi të aktrojë që në fëmijëri, sqaroi se ka kaluar shumë vite të angazhuar në një serial pas tjetrit dhe tani dëshiron të provojë gjëra të reja.
Aktorja pritet të kthehet në rolin e Wednesday Addams në sezonin e tretë të serialit të suksesshëm të Netflix, i cili parashikohet të dalë në vitin 2027. Bashkë me të, në kast do të jenë sërish Luis Guzmán, Catherine Zeta-Jones dhe Isaac Ordonez, ndërsa Winona Ryder dhe Eva Green do t’i bashkohen kastit.
Seriali, që nisi në vitin 2022, është shndërruar në një nga sukseset e mëdha të Netflix, duke fituar katër çmime Emmy. Sezoni i dytë u publikua në vitin 2025, ndërsa i treti ka përfunduar xhirimet.
Megjithatë, deklarata e aktores nuk do të thotë se ajo do të heqë dorë nga aktrimi, por se mund të kërkojë një pauzë nga televizioni dhe të eksplorojë mundësi të tjera profesionale.
Zgjedhjet e mëparshme të aktores
Kjo nuk është hera e parë që Ortega vendos të tërhiqet nga një projekt i madh. Aktorja nuk u rikthye në franshizën horror “Scream” për filmin e shtatë, pas pjesëmarrjes në dy filmat e mëparshëm.
Në një intervistë të vitit 2025, ajo shpjegoi se vendimi lidhej me largimin nga projekti të Melissa Barrera-s, por edhe me faktin se regjisorët Tyler Gillett dhe Matt Bettinelli-Olpin nuk do të drejtonin filmin e ri.
Madje, më herët këtë vit, Ortega zbuloi se kishte menduar të hiqte dorë krejtësisht nga aktrimi, përpara se të merrte rolin në serialin “You”, i cili ndihmoi në një moment të rëndësishëm të karrierës së saj.
Tashmë, ndërsa fansat presin rikthimin e saj si Wednesday Addams, mbetet për t’u parë se cilat projekte do të zgjedhë aktorja pas përfundimit të serialit që e ktheu në një nga emrat më të komentuar të Hollywood-it.
Burimi: bordo.al









