Proteinat njihen gjerësisht për kontributin e tyre në ndërtimin e muskujve, por funksioni i tyre është shumë më i gjerë. Ato ndihmojnë gjithashtu në ruajtjen e strukturës së kockave dhe të fuqisë muskulore, dy aspekte të rëndësishme që ulin rrezikun e rrëzimeve dhe të frakturave.
Sipas ekspertëve të cituar nga “The Indian Express”, ekziston shqetësimi se një marrje e lartë e proteinave mund të rrisë sasinë e kalciumit që largohet përmes urinës. Megjithatë, kjo nuk nënkupton automatikisht se kockat po humbasin kalcium ose po dobësohen.
Shëndeti i kockave varet nga një kombinim faktorësh, përfshirë marrjen e mjaftueshme të proteinave, kalciumit dhe vitaminës D, si dhe aktivitetin fizik.
Roli i vitaminës D për kockat
Një nga funksionet më të rëndësishme të vitaminës D është mirëmbajtja e përqendrimit në serum të kalciumit dhe fosforit, nëpërmjet absorbimit të rregullt të tyre. Kështu sigurohet mineralizim normal i kockave, si dhe rritje e zhvillim i indit kockor. Mungesa e vitaminës D ndryshon metabolizmin e këtyre mineraleve, gjë që shkakton dendësi të ulët minerale të kockave dhe rrit rrezikun e humbjes së masës kockore ose të thyerjeve.
USHQIM I PASUR ME VITAMINË D
– Vaj peshku dhe peshq të yndyrshëm (salmon, ton, sardele, harengë, skumbri, troftë, dhe peshq të tjerë të yndyrshëm)
– Qumësht dhe produkte qumështi (gjalpë, salcë kosi, kaçkavall, djathtë, jogurt etj.)
– E verdha e vezës
– Mëlçi
– Kërpudha (shiitake, agaricus, chanterelle)
Duke qenë të vetëdijshëm për rolin e vitaminës D në organizmin tonë dhe për rëndësinë e saj në shumë procese, kontrollet e rregullta për nivelin e vitaminës D kanë një rëndësi të veçantë.
Ekspertët theksojnë se çelësi nuk është heqja e proteinave nga dieta, por një ushqyerje e ekuilibruar dhe e përshtatur sipas nevojave të secilit person.
Burimi: gazetashqiptare.al










