6,500 doza të vaksinës kundër gripit janë shpërndarë në qendrat shëndetësore të Gjirokastrës. Ndërsa vaksinimi i punonjësve të shëndetësisë ka përfunduar, qytetarë të moshave të ndryshme po i drejtohen ambulancave, por grupi më i rrezikuar mbeten të sëmurët kronikë.
Vaksinimi në qendrat shëndetësore të Gjirokastrës
“Deri tani, ne si qendër kemi tërhequr fillimisht 1,000 doza. Pasi të mbarojnë ato, kemi të drejtë të marrim doza të tjera për të furnizuar të gjithë. Fillimisht vaksinohen të sëmurët kronikë dhe më pas arsimtarët. Të parët që u vaksinuan ishim ne, personeli. Ftojmë të gjithë ata që dëshirojnë të vaksinohen të vijnë pranë qendrës. Ne jemi në gatishmëri”, u shpreh kryeinfermierja Griselda Zeka.
E përbërë nga të gjithë viruset që qarkullojnë gjatë një viti, vaksina mbetet i vetmi mjet mbrojtës ndaj gripit sezonal, thotë kryeinfermierja e qendrës shëndetësore “18 Shtatori”, Griselda Ismailati. Aplikimi i vaksinës ofrohet edhe në banesa, për personat që nuk kanë mundësi të shkojnë në ambulanca.
Mbrojtja nga gripi sezonal
“Vaksina përmban antigjene që lidhen me viruset e gripit që qarkullojnë gjatë vitit. Te personat që vaksinohen, sëmundshmëria është më e ulët. Nëse preken nga gripi, e kalojnë më lehtë dhe jo me vështirësi. Prandaj, është mirë të vaksinohemi. Vaksina ka përfitimet e veta. Çdo vaksinë, në vetvete, ofron mbrojtje. Ne, si vitin e kaluar, e kemi vaksinën trivalente”, u shpreh ajo.
2,000 doza janë aplikuar në Gjirokastër, Libohovë e Dropull që prej nisjes së këtij procesi në fillim të këtij muaji.
Gazetare: Y. Ponde
/rtsh.al/
Burimi: rtsh.al










