Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Koalicioni Shqiptar siguron dy mandate në Serbi, Kamberi synon të tretin

Koalicioni Shqiptar siguron dy mandate në Serbi, Kamberi synon të tretin

Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy vende në Kuvendin e Serbisë dhe vazhdon të jetë në garë për mandatin e tretë, sipas njoftimit të kryetarit të listës, Shaip Kamberi, i cili u bazua në rezultatet paraprake të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 25 tetorit.

Kamberi bëri të ditur se lista e përbashkët e tetë partive shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja ka grumbulluar 27.230 vota. Të njëjtat shifra i bëri publike edhe Ardita Sinani. Të dy e vlerësuan këtë rezultat si “arritje historike”.

Reagimi i Kamberit dhe vlerësimi i Kurtit

“Ky është rezultat i bashkimit politik, i besimit të qytetarëve dhe i përkushtimit të përbashkët për një përfaqësim dinjitoz”, shkroi Kamberi në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti këtë rezultat “arritje të jashtëzakonshme”, duke theksuar se koalicioni ka dy mandate të parashikuara dhe se gara për të tretin mbetet e hapur.

“Bashkimi politik i shqiptarëve po kthehet në një përfaqësim më të fortë parlamentar”, shkroi Kurti në Facebook, duke uruar qytetarët dhe subjektet politike shqiptare në tri komunat.

Nëse konfirmohen, dy mandatet do të rrisin përfaqësimin e komunitetit shqiptar në krahasim me përbërjen e mëparshme të Kuvendit, kur Kamberi ishte i vetmi deputet shqiptar.

Kamberi dhe Sinani shprehën falënderime për votuesit e tri komunave, për partitë shqiptare për bashkimin dhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për angazhimin e tij në arritjen e marrëveshjes për listën e përbashkët.

Bashkimi i partive dhe prioritetet e koalicionit

Tetë partitë garuan së bashku pas vitesh përçarjesh dhe rivalitetesh, me synimin për të fituar tri mandate. Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e Kurtit.

Më herët gjatë mbrëmjes, pas mbylljes së vendvotimeve, Kamberi kishte deklaruar për transmetuesin publik të Kosovës se koalicioni synonte dy mandate. Ai e lidhi vështirësinë për sigurimin e mandatit të tretë me pasivizimin e adresave të shqiptarëve.

Partitë e koalicionit janë zotuar për veprim të përbashkët edhe pas zgjedhjeve. Prioritetet e tyre përfshijnë përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, zhvillimin ekonomik të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe përdorimin zyrtar të gjuhës dhe simboleve kombëtare shqiptare.

Përfaqësuesit shqiptarë prej vitesh ankohen për diskriminim në punësim, arsim dhe përfaqësim institucional. Autoritetet serbe i mohojnë këto akuza./REL

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha