Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Urdhri i Ramës për dorëheqjet e drejtorëve, Mazniku: Qeveria plan të vjetër për përmirësimin e mënyrës sesi funksionon meritokracia në procesin e përzgjedhjes në administratë

Urdhri i Ramës për dorëheqjet e drejtorëve, Mazniku: Qeveria plan të vjetër për përmirësimin e mënyrës sesi funksionon meritokracia në procesin e përzgjedhjes në administratë

Deputeti socialist Arbjan Mazniku ka dhënë komentin e tij lidhur me nismën politike të kryeministrit Edi Rama, e cila synon të kërkojë dorëheqje të parevokueshme për drejtuesit e institucioneve në nivele ministrore.

I ftuar në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Mazniku refuzoi të pranonte idenë se protestat e dhunshme mund të kenë nxitur kryeministrin të marrë një vendim të tillë.

Plani i mëparshëm i Qeverisë për meritokracinë

Mazniku vuri në dukje se fakti që Ministria për Administratën Publike u shndërrua në një ministri me portofol të plotë tregon se Qeveria kishte një plan më të hershëm për të ndërtuar një mekanizëm që përmirëson funksionimin e meritokracisë në procesin e përzgjedhjes në të gjithë sistemin.

“Mendoj se, duke parë edhe faktin që Pirdeni mori sot detyrën e ministres për Administratën Publike, kjo tregon se me shumë gjasë Ekzekutivi kishte një plan më të vjetër për të krijuar një mekanizëm që përmirëson ndjeshëm mënyrën se si funksionon meritokracia në procesin e përzgjedhjes në të gjithë sistemin. Shndërrimi i ministrisë së Shtetit nga një ministri pa portofol në një ministri të mirëfilltë është tregues i gatishmërisë ose vullnetit të ekzekutivit për ta trajtuar çështjen e meritokracisë si një çështje thelbësore të funksionimit të administratës publike dhe si përpjekje për të krijuar gjithnjë e më shumë mekanizma që mundësojnë vlerësime objektive të mënyrës se si njerëzit ndërtojnë karrierën në administratë”, u shpreh ndër të tjera Mazniku.

Mazniku theksoi gjithashtu se edhe në diskutimet e zhvilluara brenda Partisë Socialiste gjatë muajit gusht dhe javëve të para të shtatorit, si në konceptin e ‘Besës’ ashtu edhe në atë të ‘Pranisë Besnike’, u diskutua gjerësisht për nevojën që Shqipëria ka për të përmirësuar konceptin e krijimit të mekanizmave në administratë.

Standardet e BE-së dhe përmirësimi i administratës

Sipas Maznikut, duke qenë se Shqipëria po ecën drejt anëtarësimit në BE, përmirësimi i këtyre standardeve është një domosdoshmëri.

“Besoj se edhe kjo mund të shihet në të njëjtën linjë me këtë veprim dhe më duket se është më shumë një vijimësi e kësaj situate. Ekziston një fokus, edhe në diskutimin që u zhvillua gjatë muajit gusht dhe javëve të para të shtatorit, si me konceptin e Besës ashtu edhe me atë të Pranisë Besnike, u diskutua gjatë në forumet e PS për nevojën që kemi për të përmirësuar edhe më tej konceptin e krijimit të mekanizmave në administratë. Sepse është një ndër çështjet për të cilat kemi vlerësuar se njerëzit kanë shprehur shqetësim dhe duhet të ketë më shumë elementë transparence. Besoj se ka pasur një proces të nisur nga ana e Ekzekutivit për të krijuar një sistem më të drejtë dhe më transparent. Sisteme të tilla nuk funksionojnë me 1 dhe 0. Nuk është çështje o e ke o s’e ke. Ne jemi në një sistem që, ashtu si gjithë sistemet e tjera, përmirësohet dhe në çdo moment bëhet pak më i mirë sesa ka qenë më parë. Ndërsa ecim drejt standardeve të BE-së, do të synojmë t’i përmirësojmë edhe këto standarde”, shtoi Mazniku.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha