Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Rama: Dhuna nuk është ide, por krim dhe armik i demokracisë

Rama: Dhuna nuk është ide, por krim dhe armik i demokracisë

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se rruga për kërkimin e të drejtave dhe për një përballje demokratike me këdo që dikush ndien se nuk e përfaqëson, është ajo paqësore e ballafaqimit të ideve dhe të forcave.

Rama mbi protestën dhe ballafaqimin e ideve

Në një postim në platformat e tij sociale, Rama theksoi se idetë përballen çdo ditë, ndërsa forcat maten në zgjedhje. Sipas tij, mes këtyre dyjave qëndron liria e paprekshme dhe e drejta e padiskutueshme për protestë paqësore.

Ai vuri në dukje se shumë studentë dhe qytetarë, me ose pa vetëdije, të cilët gjejnë arsye për të protestuar kundër qeverisë dhe ndaj tij personalisht, nuk iu bashkuan asaj turme. Sipas Ramës, kjo turmë në kulmin e saj arriti në 1500 vetë dhe përbënte një konglomerat ku padyshim kishte edhe studentë idealistë, të rinj e të reja, por të keqkuptuar dhe të radikalizuar nga teoritë destruktive të Antifa-s dhe të një ideologjie antikapitaliste, e cila e identifikon dhunën dhe terrorin si mjet për të marrë peng Europën, vendet demokratike, institucionet dhe rrugën e zhvillimit që është zgjedhur së bashku.

Apeli për distancim nga dhuna

Rama iu drejtua të rinjve duke i bërë thirrje të distancohen nga dhuna dhe të shprehin bindjet e tyre përmes mjeteve demokratike.

Kryeministri theksoi se idetë janë çështje zgjedhje dhe se në një vend të lirë e demokratik gjithkush mund të ketë idetë e veta. Megjithatë, sipas tij, dhuna nuk është ide, por krim, dhe përbën armik të demokracisë, të lirisë, të qetësisë dhe të sigurisë. Rama shtoi se Shqipëria ka ende shumë për të bërë, por ka një domosdoshmëri absolute për të garantuar çdo ditë sigurinë e pacënueshme të rendit, të lirisë dhe të qetësisë së çdo individi që qarkullon i lirë në rrugët e vendit, e jo vetëm të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit.

Rama paralajmëroi gjithashtu se në vijim do të bëhen publike informacione të tjera.

“Ka një orë për të folur për të gjitha. Ora për të folur sot ishte kjo. Nesër do t’ju ekspozojmë të tjera gjëra, për të ndarë me të gjithë një bindje të rrënjosur tek informacioni, të rrënjosur tek funksionimi i institucioneve, bindjen se askush nuk do të mbetet pa u ekspozuar”, tha Rama.

/k.s/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha