Grupi i militantëve të Partisë Demokratike po lëviz nga kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit, ku do të bashkohet me studentët. Në një deklaratë për Report Tv, Jorida Tabaku deklaroi se ata janë aty në mbështetje të studentëve.
Qëndrimi i Tabakut për protestën dhe policinë
Deputetja kritikon reagimin e policisë ndaj protestuesve të dhunshëm, edhe pse pranon se dhuna nuk përbën pjesë të një shoqërie demokratike. Sipas saj, shkak për dhunën e protestuesve janë pakënaqësitë e grumbulluara, dhe një pjesë të fajit ia atribuon opozitës.
Lidhur me mungesën e Sali Berishës, i cili e thirri vetë protestën kombëtare të PD-së, deputetja nuk dha ndonjë arsye të veçantë.
“PD ka protestuar për 13 vite me radhë. Sot është e gjithë Shqipëria që është ngritur në këmbë dhe edhe ne jemi në mbështetje të protestës së studentëve. PD po i bashkohet protestës së të rinjve.
Pas kësaj do të nisemi menjëherë drejt Ministrisë së Arsimit. Sigurisht protesta e orës 14:00 është e tyre dhe ne i mbështesim. Kam qenë edhe në cilësinë e kryetares dhe për median për të mbështetur minorenët. Ka pasur një sulm brutal të policisë ndaj të vegjëlve. Është shumë e nevojshme që secili prej nesh të kuptojë që qeveria do të rrëzohet dhe kërkesat zbatohen kur jemi të gjithë bashkë. Sot besojmë të gjithë se e keqja më e madhe e Shqipërisë është PS.
Nëse ka pasur të paktën në 3 ditët e para dhunë, ajo ka qenë e policisë ndaj studentëve. Unë besoj që arriti kulmin ditën e tretë me thyerjen e gjymtyrëve, dhunë verbale e fizike. Besoj fort te forca e fjalës dhe argumentit, protesta paqësore, por ndoshta këta njerëz kanë mllef që ndoshta është edhe për fajin tonë. Mllefi më i madh është te e ardhmja dhe ndoshta është shprehur në atë formë. Nuk është më e mira, por ata atë kanë gjetur.
Për mua, dhuna nuk ka vend në një shoqëri, por pas këtyre kërkesave 14-vjeçare dhe dhunës, ndoshta ashtu e kanë gjetur mënyrën.
Unë besoj që Berisha ka zgjedhur vetë të mos ishte pjesë e protestës. Ajo është thirrur nga ai, por ka zgjedhur të mos jetë prezent. Përfaqësuesit e tjerë janë këtu”, tha Tabaku.
Burimi: shqiptarja.com










