Pas një seance të tensionuar në Kuvend, ku përveç zjarrit u përdor edhe dhunë për të penguar punën normale të parlamentit, Sali Berisha deklaroi se protestat e dhunshme i nisi Forumi i Partisë Demokratike, madje me “lista të sakta”.
Shpallja hapur se ai qëndron në krye të luftës së militantëve me maska nuk përbën problem për Sali Berishën për opinionin tonë. Këtë e përsërit vazhdimisht ai vetë, mediat e tij dhe qarqet e lidhura me të, të cilat e përsërisin në panelet e mbrëmjes që mbrojnë maskat që dogjën Tiranën.
Berisha nuk resht së përsërituri se është në mbrojtje të protestuesve të dhunshëm që në ditën e parë, madje edhe kur tha se do t’i strehojmë e do t’i mbrojmë.
Edhe pse kjo deklaratë është një vepër penale e pastër, ai e di se këtu nuk i hyn një gjëmb në këmbë. Qoftë nga SPAK, që nuk nis një hetim për këtë katrahurë që ka organizatorin në politikën e lartë, qoftë nga mazhoranca, që e përdor këtë material si municion të luftës politike.
Sot Sali Berisha nuk ka folur as për opinionin vendas, as për politikën apo të ashtuquajturat institucione të drejtësisë që bëjnë sikur nuk e kanë parë djegien e tempujve të tyre. Në çdo vend normal, po të ndodhte kjo, do të bëhej nami.
Krahasimi me Milanon dhe negociatat me ndërkombëtarët
Në Milano nuk u dogj ndonjë gjykatë, por ushtria sot ka marrë në kontroll stacionet e trenit, të metrosë, institucionet dhe qendrën e qytetit, në mënyrë që policia të merret pa stres me menaxhimin e rendit publik.
Sali Berisha ka folur si kryegjeneral i kapuçonëve zjarrvënës, pikërisht duke negociuar sipas mënyrës së tij me ndërkombëtarët.
Kjo edhe pasi sulmoi ashpër dhe frontalisht ambasadorin amerikan nga media e familjes, ai po kërkon një qark tjetër që ta marrë si faktor. Me logjikën se, po nuk negociuam me të që është organizatori i katrahurës, me kë duhet.
Është një përpjekje ekstreme, në dukje kamikaze, por këtë e ka bërë gjithmonë kreu i PD-së dhe në shumicën e rasteve i ka dalë. Në vitin 1998, Sali Berishës iu hoq imuniteti nga Parlamenti me 2/3-at e socialistëve, si dhe sot, por një muaj më pas kryeministri dhe zëvendëskryeministri i PS-së, së bashku me disa qarqe diplomatike, u ulën në tavolinë për të negociuar uljen e gjakrave.
Filozofia e pushtetit dhe rasti i klubit Partizani
Dikush do të thotë se jemi në një fazë tjetër, në një epokë tjetër, por kjo varet si e shikon. Këtu ka disa botë paralele, e sipas botës së doktorit, ai është me filozofinë e Tony Montana-s: “The world is yours”. Në fakt mjafton të shikojmë klubin Partizani për të parë konkretizimin e kësaj filozofie. Natyrisht ka edhe të tjera, por meqë është e lehtë të shpjegohet: për të është normale që një pronë publike, historike, shtetërore mund të transferohet thjesht në pronësinë e familjes së tij, e ta quajë “kthim prone”.
Gjithsesi kjo lëvizje kaotike zhvillohet në një mjedis institucional gjithashtu kaotik, pasi atij nuk i hyn një gjëmb në këmbë për këtë akt të fortë që shpalli sot si kryegjeneral i djegies së Tiranës. E sipas gjasave nuk do t’i hyjë gjëmb në këmbë. Natyrisht mund të ketë reperkusion politike, por siç kemi parë, atë që nuk e merr me vota, e ka marrë me molotov.
Burimi: www.gazetatema.net










