Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Pacolli kundërpërgjigjet Pecit për lidhjen me dosjen e atentatit ndaj Jusuf Gërvallës dhe paralajmëron kallëzim në Gjermani

Pacolli kundërpërgjigjet Pecit për lidhjen me dosjen e atentatit ndaj Jusuf Gërvallës dhe paralajmëron kallëzim në Gjermani

Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj ish-ministrit Faton Peci, duke deklaruar se ky i fundit e ka sulmuar dhe ka përhapur shpifje kundër tij. Pacolli ka paralajmëruar se do t’i drejtohet organeve kompetente të drejtësisë në Kosovë dhe në Gjermani për të kërkuar përgjegjësi ligjore.

Në një reagim publik, Pacolli i ka quajtur të rënda deklaratat e Pecit, me të cilat, sipas tij, ai e paraqet Donika Gërvallën si burim të akuzave ndaj tij.

Pacolli i ka mohuar plotësisht këto akuza, duke thënë se ato cenojnë dinjitetin e tij dhe po i shkaktojnë shqetësim familjes së tij, sidomos fëmijëve.

Reagimi i Pacollit ndaj deklaratave të Pecit

Reagimi i plotë:

Nga Faton Peci jam atakuar pa asnjë arsye dhe në mënyrë të padrejtë, kërkoj përgjegjësi!

Deklaratat publike të Faton Pecit, në të cilat ai e paraqet zonjën Gërvalla si burimin e akuzave ndaj meje, janë jashtëzakonisht të rënda. I hedh poshtë me vendosmërinë më të madhe këto shpifje të ulëta, primitive dhe të paskrupullta, që cenojnë dinjitetin tim dhe u shkaktojnë dhimbje e shqetësim familjes sime dhe, veçanërisht, fëmijëve të mi.

Është e turpshme që njerëz me përgjegjësi publike të bien në këtë nivel. Përhapja e akuzave të tilla është një sjellje e padenjë, që dëshmon mungesë përgjegjësie dhe respekti për dinjitetin njerëzor. Asnjë post shtetëror nuk i jep askujt të drejtën të shpifë e të shkelë mbi nderin e një njeriu dhe qetësinë e familjes së tij.

Veprimet ligjore në Kosovë dhe Gjermani

Do t’u drejtohem organeve kompetente të drejtësisë në Kosovë dhe në Gjermani, me kërkesën që këto deklarata të shqyrtohen dhe këta persona të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit. Për këto akuza janë dënuar më parë shpifës në Zvicër dhe në Gjermani. Edhe zotni Peci është dënuar pak më parë, për të njëjtat shpifje.

Nuk do të hesht, nuk do të tërhiqem dhe nuk do të ndalem së kërkuari qartësi. Do të ndjek çdo rrugë ligjore që përgjegjësit të japin llogari për fjalët e tyre dhe për dëmin që po shkaktojnë.

Dinjitetin tim dhe të familjes sime do ta mbroj me gjithë vendosmërinë time.

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha