Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Ngjarjet në Shqipëri në fokus të Komisionit të Jashtëm, reagon McAllister

Ngjarjet në Shqipëri në fokus të Komisionit të Jashtëm, reagon McAllister
Foto: sot.com.al

Një grup mjekësh, infermierësh dhe profesionistësh të tjerë shëndetësorë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Gjermani, i njohur si “Bluzat e Bardha për Ndryshim”, nisi një apel drejtuar deputetëve të Bundestagut gjerman dhe eurodeputetëve gjermanë lidhur me situatën në Shqipëri.

Apeli mblodhi mbështetjen e më shumë se 350 mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë shqiptarë në Gjermani. Në të kërkohet një qëndrim publik në mbrojtje të së drejtës për protestë paqësore, një hetim i pavarur dhe transparent për përdorimin joproporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës, garanci që ambulancat dhe personeli mjekësor të shërbejnë vetëm për kujdesin ndaj të lënduarve, si dhe përfshirja e kësaj çështjeje në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Përgjigjja e David McAllister

Nismëtarët e apelit morën sot përgjigjen e Z. David McAllister, kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian. McAllister e cilëson situatën në Shqipëri “arsye për shqetësim të madh” dhe bën të ditur se i është drejtuar ambasadores së BE në Tiranë për një vlerësim të situatës.

Ai njofton gjithashtu se Shqipëria do të jetë në rendin e ditës së Komisionit më 4 nëntor, ndërsa brenda nëntorit planifikohet një debat i veçantë për situatën në vend. Më poshtë, përgjigjja e plotë e Z. McAllister.

Përgjigjia e kryetarit të Komisionit për Punët e Jashtme të PE, Z. David McAllister:

E nderuara znj. Dr. Spiro,

Ju falënderoj për e-mailin tuaj të datës 20 tetor 2026, të cilin e kam lexuar me vëmendje. Situata aktuale në Shqipëri përbën vërtet një shkak të madh shqetësimi.

Në këtë kontekst, duhen theksuar përplasjet gjithnjë e më të dhunshme midis demonstruesve dhe forcave të sigurisë, raportimet për dhunë policore dhe përdorimin e forcave speciale, si dhe paralajmërimet për kufizime të mundshme të lirisë së tubimit.

Unë tashmë i jam drejtuar ambasadores së BE-së në Shqipëri, duke i kërkuar një vlerësim të situatës dhe një pasqyrë të masave që Bashkimi Evropian ka ndërmarrë deri më tani.

Shqipëria zë një vend të rëndësishëm në Komisionin për Punët e Jashtme, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe është në mënyrë të rregullt objekt diskutimesh, gjatë të cilave deputetët shqyrtojnë në mënyrë kritike përparimin e vendit në procesin e zgjerimit të BE-së. Më 4 nëntor, Shqipëria do të jetë në rendin e ditës së Komisionit, në kuadër të prezantimit të raporteve vjetore të progresit për vendet kandidate.

Përveç kësaj, në Komision po planifikojmë që situatën në Shqipëri ta vendosim në rendin e ditës edhe gjatë muajit nëntor, si një pikë të veçantë, me qëllim që të mundësohet një debat i hollësishëm dhe i zgjeruar.

Komisioni për Punët e Jashtme do të vazhdojë ta ndjekë nga afër dhe në mënyrë kritike situatën në terren.

Me përshëndetjet më të përzemërta për në Braunschëeig,

David McAllister

Burimi: sot.com.al

Të fundit Të gjitha