Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar përsëri lidhur me protestën në Tiranë, duke publikuar një video që dokumenton incidentet e ndodhura. Në pamjet e regjistruara vërehet momenti kur një koktej molotov hidhet në drejtim të një grupi punonjësish të policisë, ndërsa një prej tyre përfshihet nga flakët.
Akuzat e Koçiut ndaj Partisë Demokratike
Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu pretendon se Partia Demokratike është shndërruar në një forcë të vërtetë dhune, e cila sipas saj manifestohet gjatë protestave, në sallën e Kuvendit dhe në komunikimin publik, si në media ashtu edhe në internet.
Postimi i plotë:
“Ka mbaruar koha kur hidhnin gurin dhe fshihnin dorën. Tani, ai që urdhëron dhunën ka dalë haptazi, ka marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë e shkatërrimit dhe ka hedhur poshtë vetë justifikimin e “turmës së zemëruar”.
Prej një kohe të gjatë, Partia Demokratike është kthyer në një forcë të mirëfilltë dhune, në shesh, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, në çdo kanal komunikimi, qoftë media apo online.
E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet kurrë nga ata që nuk kanë punuar as edhe një ditë të vetme në interes të saj. Nuk e bënë kur qeverisnin në emër të Shqipërisë dhe nuk e bëjnë as sot, kur angazhohen hapur dhe me paramendim për të destabilizuar vendin, thjesht për shkak të dëshpërimit të tyre politik.
Megjithatë, edhe kjo llogari e gabuar, si çdo llogari tjetër e tyre, e vjetër apo e re, do t’u rezultojë përsëri e pasaktë. Shqiptarët nuk e duan dhunën, shqiptarët duan Europën.
Ndaloni sulmin ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit!”, shkruan Koçiu.
Burimi: euronews.al










