Analisti Skënder Minxhozi deklaron se vandalët po synojnë të marrin nën kontroll qendrën e Tiranës, ndërsa kryeqyteti po përballet me protesta të dhunshme.
Në një intervistë për “Breaking News” në ABC News, Minxhozi theksoi se “flamingot” bënë gabim që nuk formuan një grupim politik, por zgjodhën rrugën e dhunës.
Minxhozi: Drejtësia po nxit dhunën
Minxhozi shtoi se drejtësia po i jep forcë dhunës, pasi ata që kanë djegur e shkatërruar në Tiranë lirohen menjëherë nga gjykata.
“Jemi në një ditë të tensionuar, ku ishin paralajmëruar jo një, por tre protesta. Degjenerimi në dhunë njollos të gjithë grupin, të tre këto kategori: pedagogët, opozitën dhe studentët. E nisën 4 muaj më parë në formën më paqësore të mundshme dhe e vunë në vështirësi qeverinë, sepse mitingjet apo protestat paqësore e kanë futur në mendime të thella zotin Rama dhe mazhorancën. Këmbëngulja e mëvonshme e flamingove për të mos pasur projekt politik është gabim i madh. Jemi në një ditë të pazakontë, edhe nga aspekti politik. Ka një reflektim nga ana e kryeministrit, ai pranoi se ka dy anë. Primare është rendi dhe siguria. Edhe në mesin e breshërisë së gurëve, kryeministri njofton se mazhoranca do të paraqesë një plan, dhe problemet ekonomike janë lajm motivi kryesor i kësaj që po shohim. Sot, politikisht kemi një hap të rëndësishëm nga ana e qeverisë shqiptare, e cila do të ndërhyjë me masa konkrete. Në momentin që politika tërhiqet spontanisht, dalin në rresht të parë ata me fytyrë të mbuluar. Opozita është bërë palë me protestën e dhunshme. Reforma në drejtësi është e dështuar. Nuk është aty ku duhet të jetë”, theksoi ai.
Burimi: abcnews.al










