Është përmbyllur puna për restaurimin e Valanicës dhe Mullirit në fshatin Bellobrad të Dragashit, një pasuri e trashëgimisë kulturore që pasqyron traditat, mënyrën e jetesës dhe aftësitë artizanale të banorëve të dikurshëm të Opojës.
Njoftimi i ministres së Kulturës
Ky informacion u bë i njohur nga ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, e cila theksoi rëndësinë që ka ruajtja e këtij objekti me vlera historike dhe kulturore.
Valanica dhe Mulliri në Bellobrad
Që prej shekullit XIX, ky kompleks ka shërbyer për dy veprimtari tradicionale: bluarjen e grurit dhe të misrit, si dhe përpunimin e leshit për prodhimin e veshjeve tradicionale. Fakti që këto dy zeje janë ushtruar në një ndërtesë të vetme e bën këtë aset të veçantë dhe një dëshmi të praktikave të jetesës së dikurshme në këtë zonë.
Përfundimi i restaurimit përbën një hap të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë materiale dhe të traditave që kanë shoqëruar jetën e komunitetit ndër breza.
Nëpërmjet ndërhyrjeve të tilla synohet që objektet me vlera historike të ruhen dhe të përcillen te brezat e ardhshëm, si pjesë e identitetit kulturor dhe historisë së vendit./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










