Swindoni do të kandidojë përsëri për titullin “Kryeqyteti i Kulturës në Mbretërinë e Bashkuar”, pasi nuk u përfshi në listën e ngushtë të kandidatëve për edicionin e vitit 2029.
Katër qytete janë përzgjedhur për këtë garë: Blackpool, Milton Keynes, Sheffield dhe Wrexham. Për Swindonin, i cili u lejua të aplikojë për shkak të madhësisë së popullsisë, moskalimi në fazën tjetër nënkupton humbjen e mundësisë për të përfituar 125 mijë paund nga qeveria për fazën e ardhshme të kandidimit, si dhe për të garuar për një fond potencial prej 10 milionë paundësh.
Reagimi i drejtuesve të qytetit
Megjithatë, drejtuesit e qytetit e shohin këtë përvojë si një mundësi për të përmirësuar kandidaturën në të ardhmen. Gary Sumner, udhëheqës i Këshillit Bashkiak të Swindonit, tha për BBC Radio Wiltshire se qyteti “sigurisht do të provojë sërish”, duke shtuar se përvoja e kësaj gare do t’i ndihmojë të ndërtojnë një kandidaturë më të fortë.
Edhe Roderick Hebden, drejtor ekzekutiv i Swindon Culture Collective CIC, theksoi se fitimi i titullit në përpjekjen e parë është i pazakontë. Sipas tij, kandidimi i parë shërben shpesh si një mundësi për të mësuar dhe për të përgatitur një aplikim më të mirë në garat pasuese.
Fushata e Swindonit për titullin e vitit 2029 përfshiu 60 aktivitete konsultimi dhe angazhimi me komunitetin. Kandidatëve iu kërkua të shpjegonin se si kultura mund të shërbente si nxitëse e transformimit të qytetit dhe e jetës së banorëve të tij.
Potenciali kulturor i Swindonit
“Kur e shikon më nga afër, kultura e rrethon Swindonin”, u shpreh Sumner, duke nënvizuar se potenciali kulturor i qytetit shkon përtej asaj që mund të duket në pamje të parë.
Për Hebdenin, fakti që Swindoni arriti të kalonte në listën e gjatë të kandidatëve ishte një rezultat domethënës, veçanërisht pasi qyteti nuk konsiderohej ndër emrat e pritshëm në garë. Ai tha se ishte prekur nga mbështetja pozitive që mori nisma, pavarësisht kritikave ndaj qytetit.
Fituesi i titullit “Kryeqyteti i Kulturës në Mbretërinë e Bashkuar 2029” do të shpallet në maj. Qyteti fitues do të bëhet i pesti që mban këtë titull, pas Derry-Londonderry, Hull, Coventry dhe Bradford. Titulli i jepet një qyteti të ndryshëm çdo katër vjet./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










