Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kulturë

Debati për portretin e aktorit Aleksandër Moisiu në Durrës, Ardian Isufi: Te Moisiu ringjallet tragjikja që mbizotëron mbi sublimen

Debati për portretin e aktorit Aleksandër Moisiu në Durrës, Ardian Isufi: Te Moisiu ringjallet tragjikja që mbizotëron mbi sublimen

Portreti madhështor i kushtuar aktorit të njohur Aleksandër Moisiu, i cili ndodhet në Universitetin e Durrësit, ka shkaktuar reagime dhe debate rreth konceptit dhe interpretimit të tij artistik. Në këtë diskutim, Prof. Asc. Dr. Ardian Isufi fokusohet te qasja krijuese e skulptorit Sadik Spahija, duke e vlerësuar portretin përtej ngjashmërisë fizike, si një shprehje e thellësisë psikologjike dhe ekzistenciale të aktorit. Ai thekson sfidën artistike të paraqitjes së një figure ikonike, si dhe rëndësinë e vlerësimit të veprës përtej reagimeve të nxituara publike.

“Pas një trazire të qëllimshme apo të paqëllimshme mbi tekstet, kontekstet dhe qëndrimet rreth portretit monumental të Aleksandër Moisiut në Universitetin e Durrësit, m’u desh të mendoja gjatë jo thjesht për “estetikën pamore” të kësaj vepre që po promovohet nga “Zëri i Masës” si në pikturën e realizmit socialist të Sali Shijakut, por për të kuptuar më shumë se skulptori Sadik Spahija e ka pasur sfidën e tij në “antropologjinë pamore” për të portretizuar këtë figurë ikonike.

Në fakt, nuk dëshiroj aspak të merrem me baltë mediokritësh dhe cinikësh që ua jep mundësinë “demokratura” e rrjeteve sociale, apo banalitete ironish sa kushton e si kushton ky projekt publik, kur së pari e mira është të mos anashkalohet procesi institucional i realizimit të kësaj vepre”, shprehet Isufi, profesor në Universitetin e Arteve, në një reagim të tij të ndarë edhe në rrjete sociale.

Në vijim të interpretimit të tij, Prof. Asc. Dr. Ardian Isufi e lidh portretin monumental të Aleksandër Moisiut me universin e gjerë të personazheve që aktori luajti gjatë karrierës së tij. Sipas tij, vepra e skulptorit Sadik Spahija nuk synon të paraqesë vetëm Hamletin, por të përmbledhë në një imazh të vetëm shumë dimensione të identitetit artistik dhe njerëzor të Moisiut.

“Megjithatë, në gjithë këtë mjegull gjykimesh m’u kujtua si ECHO metaforike vetë Aleksandër Moisiu me Hamletin e tij në fjalët Shekspiriane: “To be or not to be”, ku në kohët e fundit është interpretuar në disa shprehje aktoriale por edhe si qëndrime të mesazhit njerëzor nga aktorë të famshëm britanikë, përfshirë në atë kohë dhe Princin Charles me një humor të hollë që të fut në skutat e raportit që duhet të ketë shoqëria me këtë proverb monumental. Pra, parë në këtë këndvështrim mendoj se skulptori Sadik Spahija ka dashur të portretizojë si antropologji pamore të aktorit jo thjesht një Hamlet, por thuajse shumë personazhe që janë brendashkruar atij. Aty, përfytyron edhe Faustin e Gëtes apo Fedja e Tolstoit, e shumë të tjerë”, vijon artisti Isufi ndër të tjera në reagimin e tij.

Psikologjia e aktorit në interpretimin artistik të portretit

Prof. Asc. Dr. Ardian Isufi thekson se rëndësi të veçantë në portretizimin e Moisiut ka psikologjia e aktorit, si në veprën e Sadik Spahijës, ashtu edhe në relievin kushtuar tij në teatrin Burgtheater në Vjenë. Sipas tij, qëllimi nuk është vetëm të kujtohet pamja e aktorit, por edhe të përcillet thellësia e artit dhe e personazheve që ai ka interpretuar.

“Vepra në këtë rast sjell gjendjen dhe psikologjinë e aktrimit në momente të thella ekzistenciale për t’i shfaqur publikut peshën dhe forcën e artit dhe jo thjesht dokumentim të thatë estetik sa për të kujtuar pamjen e tij.

Gjithashtu, më ka rënë rasti të shoh një relief të portretit të tij në personazhet e shquar të Burgtheater në Vjenë dhe atje, në atë vepër artistike i është dhënë peshë psikologjisë pamore të aktorit! Ashtu siç citojnë studiuesit, po ashtu sfida e krijuesit pamor Sadik Spahija është se “Mbi të gjitha tek Moisiu ringjallet tragjikja që mbizotëron mbi sublimen””, shprehet Isufi.

Fusha e veprimtarisë së aktorit Aleksandër Moisiu përfshinte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Ndër rolet e tij më të njohura ishin Hamleti, Edipi dhe Fedja në veprën Kufoma e gjallë të Lev Tolstoit, si dhe Jedermann-i, të cilin e interpretoi në vitin 1920, në edicionin e parë të Lojërave Festive të Salzburgut.

Burimi: sot.com.al

Të fundit Të gjitha