Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kronikë

Mashtrimi i investitorëve të huaj në Prishtinë: dosja e nëntë të dyshuarve

Mashtrimi i investitorëve të huaj në Prishtinë: dosja e nëntë të dyshuarve

Prokuroria në Ferizaj ka kërkuar masën e paraburgimit për nëntë persona të dyshuar për mashtrim dhe mashtrim kompjuterik, përmes qendrave të thirrjeve të hapura në Prishtinë, ku dyshohet se janë mashtruar shtetas suedezë dhe të huaj të tjerë me oferta të rreme për investime në kriptovaluta dhe tregje financiare.

Personat e dyshuar janë Toni Salihu, Durim Morina, Diamant Hasani, Rea Hashani, Përparim Reka, Ariana Plakici, Faik Zuka, Dorent Hajredini dhe Bidaim Emini.

Sipas dosjes së siguruar nga Insajderi, veprimtaria e dyshuar është zhvilluar gjatë vitit 2026, deri më 23 tetor, në disa lokacione në Prishtinë, përfshirë hapësira në rrugët “Muharrem Fejza”, “Ali Aliu Kelmendi” dhe “Dervish Hima”.

Këto hapësira dyshohet se janë përshtatur dhe përdorur si qendra thirrjesh për të kontaktuar shtetas të huaj dhe për t’i bindur ata të investojnë para në platforma financiare.

Prokuroria pretendon se të dyshuarit kanë vepruar në mënyrë të organizuar, me role të ndara, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror. Ata dyshohet se janë paraqitur si përfaqësues të kompanive të investimeve dhe kriptovalutave, duke krijuar te personat e kontaktuar bindjen se paratë e tyre do të investoheshin në platforma të ligjshme dhe fitimprurëse.

Ndër platformat e përmendura në kërkesën e Prokurorisë janë “SwisFXCapital”, “BlockPIT” dhe “X-33 Online”.

Viktimat nxiteshin të investonin fillimisht shuma rreth 250 euro, ndërsa më pas u kërkoheshin shuma më të mëdha. Pas realizimit të investimeve, paratë dyshohet se transferoheshin në llogari të tjera, duke ua pamundësuar personave të dëmtuar kontrollin dhe disponimin mbi mjetet e tyre financiare.

Rolet e të dyshuarve sipas Prokurorisë

Sipas kërkesës për paraburgim, Toni Salihu dyshohet se ka siguruar dhe përshtatur hapësirat për funksionimin e qendrave të thirrjeve, si dhe ka siguruar pajisjet elektronike dhe sistemet e komunikimit. Prokuroria pretendon se ai ka udhëtuar edhe në shtete të ndryshme, përfshirë Suedinë dhe Gjermaninë, për të mbledhur informacione lidhur me personat që mund të kontaktoheshin për investime financiare.

Durim Morina dyshohet se ka pasur rol menaxhues dhe koordinues në funksionimin e qendrave të thirrjeve. Sipas Prokurorisë, ai ka marrë pjesë në kontaktimin e shtetasve të huaj përmes numrave të huaj të telefonit, sistemeve të telefonisë përmes internetit, postës elektronike dhe platformave të tjera të komunikimit.

Të dyshuarit Diamant Hasani, Rea Hashani, Përparim Reka, Ariana Plakici, Faik Zuka, Dorent Hajredini dhe Bidaim Emini, sipas dokumentit, kanë qenë të angazhuar në qendrat e thirrjeve, ku dyshohet se kanë kontaktuar persona të huaj dhe u kanë ofruar mundësi të pretenduara për investime në kriptovaluta dhe tregje financiare.

Prokuroria pretendon gjithashtu se personat e angazhuar në këto qendra u kanë udhëzuar viktimave instalimin e programeve TeamViewer, UltraViewer dhe AnyDesk, përmes të cilave mundësohet qasja në distancë në kompjuterët e tyre.

Prova të gjetura gjatë kontrolleve

Në kërkesën për paraburgim përmenden 18 kompjuterë të gjetur në një lokacion në rrugën “Ali Aliu Kelmendi”, si dhe 15 kompjuterë e 14 telefona në një lokacion në rrugën “Dervish Hima”. Gjatë kontrolleve janë gjetur edhe pajisje të tjera elektronike.

Prokuroria thotë se në pajisjet e kontrolluara janë identifikuar të dhëna personale të shtetasve të huaj, komunikime për investime, sisteme telefonie përmes internetit dhe programe për qasje në distancë.

Në dokument përmenden edhe të dhëna për depozita prej 20 mijë deri në 30 mijë euro në njërin prej lokacioneve, si dhe komunikime që, sipas Prokurorisë, tregojnë për përfitime të dyshuara prej 30 mijë deri në 40 mijë euro nga një person i dëmtuar.

Një tjetër element i përmendur në kërkesë është një komunikim përmes të cilit dyshohet se u janë premtuar bonuse prej 2 mijë eurosh agjentëve që arrinin numër më të madh të depozitimeve fillestare nga klientët.

Prokuroria kërkon paraburgim

Të nëntë personat janë ndaluar më 23 tetor 2026, në orën 10:00, për 48 orë. Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes, mundësia e ndikimit në prova dhe dëshmitarë, si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale.

Sipas Prokurorisë, hetimet janë ende në fazë fillestare dhe duhet të vazhdojnë ekzaminimi i pajisjeve elektronike, analiza e komunikimeve dhe transaksioneve financiare, si dhe marrja në pyetje e personave të dëmtuar përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Në kërkesë thuhet gjithashtu se gjatë ekzekutimit të urdhërkontrollit, Durim Morina dhe Rea Hashani dyshohet se kanë rezistuar ndaj hyrjes së hetuesve në një lokacion dhe kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë. Për këtë ngjarje, sipas Prokurorisë, do të zhvillohet procedurë e veçantë.

Të dyshuarit ngarkohen me dyshimet për veprat penale të mashtrimit dhe mashtrimit kompjuterik./insajderi.org/

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha