Gjykata e Apelit e Kosovës ka hedhur poshtë ankesën e biznesmenit Valon Lluka, ish-bashkëpunëtor i Behgjet Pacollit, duke konfirmuar masën e paraburgimit prej një muaji që ishte caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Në bazë të vendimit të Apelit, paraburgimi llogaritet nga data 7 tetor deri më 6 nëntor 2026.
Akuzat ndaj Valon Llukës
Lluka, ish-drejtor i Mabetex Holding dhe ish-administrator i shoqërisë koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, dyshohet për katër vepra penale: “Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga Komuniteti Ndërkombëtar”, “Mashtrimi”, “Lidhja e kontratës së dëmshme” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”.
Biznesmeni u ndalua më 7 tetor me urdhër të Prokurorisë së Kosovës, ndërsa më 9 tetor Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi ndaj tij masën e paraburgimit prej një muaji.
Konflikti me Behgjet Pacollin
Valon Lluka njihet edhe për konfliktin publik me biznesmenin Behgjet Pacolli, pas largimit nga drejtimi i shoqërisë koncesionare të Aeroportit të Vlorës në vitin 2025.
Në atë kohë, Lluka deklaroi se kishte refuzuar të nënshkruante një dokument që, sipas tij, do ta bënte shoqërinë koncesionare garantuese për një kredi prej 100 milionë eurosh.
Nga ana tjetër, Pacolli e akuzoi publikisht ish-bashkëpunëtorin e tij për keqpërdorim të detyrës dhe përvetësim fondesh, akuza që Lluka i mohoi.
Përplasja vijoi edhe në gusht të këtij viti, kur Pacolli ngriti pretendime për pagesa prej mbi 1.5 milionë eurosh, si dhe për një tjetër rast që përfshinte rreth 1.6 milionë euro të transferuara drejt një kompanie në Abu Dhabi, për shërbime që, sipas tij, nuk ishin realizuar.
“Për mashtrimet rreth Aeroportit të Vlorës, shpresoj se do të trajtohen nga gjykatat e Tiranës pa anshmëri. Në Kosovë po ashtu shpresoj të tregojë drejtësia (ashtu si në Emiratet e Bashkuara) dhe t’i hetojnë deri në fund të gjitha këto raste dhe të përcaktojnë përgjegjësinë ligjore për dëmin e shkaktuar nga këto veprime ilegale”, shkruante Pacolli.
Me vendimin e sotëm të Apelit, Lluka mbetet në paraburgim, ndërsa ndaj tij vijojnë hetimet për veprat penale për të cilat dyshohet.
Burimi: lajmifundit.al










