Një pacient ka ushtruar dhunë fizike ndaj mjekut kujdestar në Emergjencën e Spitalit të Vushtrrisë, pasi ky i fundit e këshilloi të kërkonte trajtim mjekësor në një institucion tjetër shëndetësor. Pakënaqësinë për shërbimin e shprehu përmes dhunës.
Policia e ka regjistruar rastin si “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Kritikat e Odës së Mjekëve
Oda e Mjekëve të Kosovës ka shprehur kritika për mënyrën se si raportohen këto raste.
“Mjeku dhe punonjësi shëndetësor është person zyrtar gjatë kryerjes së detyrës dhe brenda orarit të punës, prandaj duhet të trajtohet si sulm ndaj zyrtarit shtetëror, ashtu siç parashikon edhe Kodi Penal. Megjithatë, kjo nuk po ndodh, andaj situata është kthyer në fenomen, ndërsa fenomeni është shumë më i vështirë për t’u luftuar sesa rastet sporadike”, ka deklaruar Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve.
Sejdiu përgjegjësinë për funksionimin e sistemit ia atribuon menaxherëve.
“Punonjësit shëndetësorë dhe menaxherët janë të detyruar ta njoftojnë odën, por kjo nuk po funksionon, ndonëse nuk e di pse. Për këtë arsye nuk kemi statistika të sakta. Mund të tingëllojë e tepruar, por ne lajmet po i marrim nga media, sepse rastet nuk po raportohen, dhe kjo është shumë shqetësuese”, ka thënë Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve.
Raste të tjera të dhunës ndaj stafit mjekësor
Ky nuk është rasti i vetëm i dhunës. Një rast tjetër ndodhi në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Kalabria, ku një pacient sulmoi fizikisht një infermiere në fund të muajit shtator.
Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Viti.
Në një përgjigje për televizionin, Policia e Kosovës bëri të ditur se gjatë këtij viti janë raportuar 113 raste të “Sulmit ndaj personit zyrtar”, por që nuk përfshijnë vetëm personelin mjekësor.
Burimi: www.dukagjini.com










