Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka deklaruar se çdo modifikim i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës rrezikon të kalojë në shqyrtim nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Ai gjithashtu vlerëson se Kuvendi nuk duhet ta rihapë plotësisht ligjin e kthyer nga presidentja Justina Shiroka-Pula.
Procedura në Komisionin për Legjislacion
Cakolli ka theksuar se Komisioni për Legjislacion disponon katër javë për të përgatitur raportin dhe për ta çuar ligjin në seancë.
“Para së gjithash, sapo presidentja e ka dërguar shkresën përkatëse dhe vendimin për kthimin e ligjit, kjo do të thotë që çështja i kthehet vendimmarrjes së Kuvendit të Kosovës, por brenda një afati dhe një shumice të ndryshme nga ajo e mëparshmja. Albulena Haxhiu, në cilësinë e kryetares së Kuvendit, është e detyruar që, nëse nuk e ka bërë dje, gjatë ditës së sotme t’ia përcjellë këtë vendim të gjithë deputetëve dhe Komisionit për Përgjegjësi Parlamentare, që në këtë rast është Komisioni për Legjislacion, i cili duhet ta shqyrtojë vendimin e presidentes. Pra, së pari duhet të shihet nëse presidentja ka përmendur nene specifike të projektligjit që i konsideron problematike, ose në dëm të interesave të Kosovës, apo nëse konsideron se ndonjë prej fazave të procesit ligjvënës nuk është respektuar sipas Kushtetutës, obligimeve ndërkombëtare dhe të tjera”, tha ai.
Cakolli shpjegoi se pas shqyrtimit të vendimit të presidentes, Komisioni për Legjislacion duhet t’i paraqesë Kuvendit një raport brenda katër javësh, ku do të rekomandohet mënyra e procedimit të mëtejshëm të ligjit.
“Më pas Komisioni për Legjislacion ka një afat prej katër javësh, brenda të cilit është i detyruar t’ia paraqesë Kuvendit për seancë një raport mbi të cilin vlerëson se si duhet proceduar tutje me projektligjin. Pra, edhe pse rregullorja e re nuk ka dispozita aq të qarta sa ajo paraprake për mundësinë e ndryshimit të ligjit, nënkuptohet që Komisioni për Legjislacion mund të nxjerrë praktikisht dy lloje raportesh”, tha ai.
Sipas tij, një mundësi është që Kuvendi ta mbivotojë vendimin e presidentes dhe ta miratojë ligjin në përmbajtjen aktuale, ndërsa alternativa tjetër është të merren parasysh vërejtjet e saj dhe të bëhen ndryshimet përkatëse.
“E para është të konstatohet që Kuvendi duhet ta mbivotojë veton e presidentes, për çka nevojiten të paktën 61 vota pro, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi edhe pa dekret të presidentes, në raport me përmbajtjen aktuale siç e ka pasur në momentin e miratimit, ose mund të rekomandojë përkatësisht të propozojë që të merren parasysh vërejtjet e evidentuara nga presidentja dhe të njëjtat të inkorporohen në ligj”, tha Cakolli.
Ai shtoi se, nëse vendoset për ndryshimin e ligjit, procedura duhet të zhvillohet në përputhje me rregullat parlamentare, në mënyrë që të shmangen probleme të tjera juridike kur ligji t’i dërgohet sërish presidentes.
“Edhe pse rregullorja nuk e parasheh procedurën se si duhet të vijojë amandamentimi i mëtejshëm i ligjit, unë besoj që kjo duhet të bëhet në përputhje me rregulloren sa i përket çështjeve të tjera që ndërlidhen me amandamentimin e ligjit, në mënyrë që kur ligji i ri t’i shkojë presidentes për shpallje, i njëjti të mos ketë problematika që tashmë supozohet se mund t’i ketë”, tha ai.
Arsyetimi i kthimit të ligjit dhe qëndrimi i PDK-së
Cakolli vuri në pikëpyetje edhe arsyetimin e kthimit të ligjit, duke theksuar se duhet të bëhet e qartë nëse vendimi i presidentes është bazuar në përmbajtjen e tij apo në kërkesën e PDK-së, e cila ishte sponsorizuese e nismës.
“Tash, sa i përket çështjes se çfarë mund të ndryshojë në ligj, unë besoj që para së gjithash ka qenë jashtëzakonisht e çuditshme, për të mos thënë shkurtpamëse, ajo çfarë ndodhi atje. Para së gjithash për shkak se presidenca deklaroi që ligji është tërhequr me kërkesë të një pale, e cila ka qenë edhe sponsorizuese e ligjit njëkohësisht, dhe një prej promotoreve kryesore të miratimit urgjent dhe me nguti të projektligjit, por kjo pastaj ngriti dilemën se a ka qenë ky vlerësim i presidentes në këtë rast mbi përmbajtjen e ligjit, apo vetëm kërkesë e një pale, sepse kjo do të thotë që, nëse PDK-ja nuk do ta kishte bërë kërkesën për ta tërhequr ligjin, presidenca do të mund ta kishte dekretuar atë sot në mesnatë ose i njëjti do të kishte hyrë në fuqi edhe pa dekret, që pastaj ngriti dilemën se a ka në të vërtetë presidenca probleme me përmbajtjen e ligjit, apo thjesht e ka noterizuar një kërkesë të sponsorizuesve të ligjit në këtë rast, që në të dy variantet është situatë problematike”, tha ai.
Hulumtuesi i KDI-së kritikoi gjithashtu PDK-në për qëndrimin e saj ndaj ligjit, duke kujtuar se fillimisht kishte kërkuar miratimin e tij me nguti, ndërsa tani ka kërkuar rishqyrtimin dhe forcimin e dispozitave të caktuara.
“Nga ana tjetër, sa i përket vetë Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ka qenë hartuese, ka tentuar të marrë kredite edhe për miratimin, dhe tashmë edhe për rikthimin e ligjit, kjo është një situatë, unë besoj, e pakuptimtë, për shkak se i njëjti ligj u kërkua të miratohej me nguti, derisa tash po thuhet se ka elemente që mund të forcohen, por që të njëjtat është dashur, konsideroj, të bëhen gjatë periudhës përkatëse, për shkak se kemi të bëjmë me një ligj që prek një çështje tepër me rëndësi, jo vetëm në kuptim të procedurave gjyqësore që po zhvillohen në Hagë, por edhe në raport me obligimet ndërkombëtare që Kosova ka si partner ndërkombëtar, e posaçërisht këtu në raport me BE-në”, tha ai.
Cakolli theksoi se, pas kthimit të ligjit, mund të propozohen ndryshime, por ato duhet të kufizohen në çështjet e evidentuara nga presidentja. Sipas tij, përdorimi i këtij mekanizmi për të bërë ndryshime të përgjithshme në ligje do të mund të krijonte precedent të gabuar.
Ai rikujtoi se presidentja nuk mund ta kthejë për herë të dytë të njëjtin ligj, pavarësisht nëse Kuvendi vendos ta mbivotojë vendimin e saj apo ta ndryshojë përmbajtjen e tij.
“Megjithatë, ajo çfarë ka rëndësi është që presidentja nuk ka të drejtë ta rikthejë të njëjtin ligj, pra pavarësisht vendimit të Kuvendit, nëse i njëjti do të votohet duke e mbivotuar veton e presidentes, ose nëse do të ndryshojë, presidentja më nuk ka të drejtë ta rikthejë ligjin dhe në momentin e miratimit të ligjit, kurdo që kjo do të ndodhë brenda këtij afati katërjavor, më nuk ka të drejtë ta rikthejë ligjin, por ai konsiderohet i shpallur si i tillë”, tha ai.
Ai vlerësoi se ndryshimet e mundshme duhet të shqyrtohen me kujdes edhe për shkak të rrezikut që ligji të dërgohet për shqyrtim kushtetues në Hagë.
“Unë konsideroj që janë dy çështje me rëndësi: e para, secili variant i ligjit, përkatësisht ndryshimit të ligjit për dhomat e specializuara, ka pasur dhe do ta ketë rrezikun që i njëjti të kontestohet dhe eventualisht të trajtohet nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Prandaj, çfarëdo ndryshimi që do të bëhet në këtë ligj, me gjasë do të përfundojë atje në një mënyrë apo tjetër. Dhe unë besoj që çfarëdo ndryshimi që do të bëhej në këtë moment, për sa kohë që do të ishte plotësisht në harmoni me Kushtetutën dhe të tjerat, nuk do të kishte asnjë efekt praktik, që është edhe kjo një situatë paradoksale. Andaj do të shihet gjatë katër javëve në vijim, pra mos e vononi deri më 20 nëntor, se si do të procedohet tutje, cila do të jetë pika që do të ndryshohet dhe cili do të jetë qëndrimi i partive, sepse në fund të fundit tashmë shumica është më e kualifikuar, pra nuk nevojiten vetëm votat e shumicës së deputetëve të pranishëm, por duhet të jenë të paktën 61 vota pro, në mënyrë që ligji i ri të miratohet në fund”, tha Cakolli.
Presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu Ligjin për Dhomat e Specializuara pas kërkesës së PDK-së për rishqyrtimin e tij. Sipas njoftimit të Presidencës, kërkesa lidhej veçanërisht me dispozitat për juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave.
Në arsyetimin e saj, sipas Presidencës, Shiroka-Pula ka ritheksuar qëndrimin kundër përpjekjeve për shtrembërimin e së vërtetës historike të Kosovës dhe barazimit të luftës çlirimtare me regjimin që e shtypi vendin.
PDK-ja ka thënë se rishqyrtimi synon plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Partia ka shprehur pritjen që ligji të miratohet sërish pas përfundimit të procesit të rishqyrtimit. /EO
Burimi: www.gazetaexpress.com










