Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Doganat humbin 63.4 milionë euro nga kursi i këmbimit në 9 muaj, çmimi i lartë i karburantit rrit të ardhurat doganore

Doganat humbin 63.4 milionë euro nga kursi i këmbimit në 9 muaj, çmimi i lartë i karburantit rrit të ardhurat doganore

Rreth 63 milionë euro është dëmi i shkaktuar në buxhet nga rënia e vlerës së euros dhe dollarit vetëm gjatë 9-mujorit të këtij viti. Në raportin më të fundit, drejtoria e Doganave thekson se pavarësisht ecurisë pozitive në mbledhjen e të ardhurave, e ndikuar edhe nga rritja e çmimeve, kursi i këmbimit ka pasur efekt negativ.

Arka e shtetit po grumbullon më shumë para këtë vit, e ndihmuar edhe nga çmimet e larta, sidomos të karburantit dhe të ushqimeve.

Të ardhurat doganore gjatë 9 muajve

Drejtoria e Doganave njofton se gjatë 9 muajve ka mbledhur rreth 186 miliardë lekë ose pothuajse 2 miliardë euro, me një rritje prej rreth 7,2 miliardë lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Ky është niveli më i lartë i të ardhurave doganore i arritur ndonjëherë”, thuhet në njoftim, pavarësisht efektit negativ të kursit të këmbimit.

“Rritja e të ardhurave vjen pavarësisht ndikimit tkurrës të dhënë nga kursi i këmbimit, i cili ka pasur një efekt negativ në masën 5,75 miliardë lekë”, bën me dije Administrata Doganore.

Doganat shpjegojnë se kur është hartuar plani i vitit 2026, dollari ishte 8.2% më i lartë dhe euro 3.2% më e shtrenjtë, dhe ky zhvlerësim është përkthyer në 63.4 milionë euro më pak para në arkën e doganave. Praktikisht buxheti i shtetit do të kishte përfituar më shumë para, nëse euro dhe dollari nuk do të ishin zhvlerësuar në nivele kaq të larta.

Vetëm në muajin shtator, thotë dogana, efekti negativ në të ardhura ishte 800 milionë lekë, pavarësisht se ky efekt është mbuluar nga shtrenjtimi i naftës, e për pasojë paguhet më shumë TVSH në momentin e zhdoganimit. (Për shembull, kur 1 litër naftë është 200 lekë, TVSH-ja është 40 lekë, ndërsa kur çmimi i naftës është 170 lekë, TVSH-ja e paguar është 34 lekë).

Efekti i forcimit të lekut

Institucionet thonë se rënia ka ardhur si rezultat i hyrjeve të larta valutore nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja, dhe se ky forcim i lekut ka ndikuar pozitivisht në mbajtjen e inflacionit në kontroll. Por e kundërta ka ndodhur me eksportuesit që vijojnë të humbasin, por edhe me qytetarët që kursimet e tyre i kanë mbajtur në monedhën evropiane.

Banka e Shqipërisë ka blerë në gjysmën e parë të vitit 663.6 milionë euro, me qëllim stabilizimin e monedhës evropiane dhe rritjen e rezervës valutore. Shifra është pothuajse 3 herë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha