Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Bota

Dekreti i ri italian i sigurisë parashikon dënime deri në 12 vite burg dhe gjoba për prindërit e të miturve, si dhe 500 ushtarë në Milano për të frenuar protestat e dhunshme

Dekreti i ri italian i sigurisë parashikon dënime deri në 12 vite burg dhe gjoba për prindërit e të miturve, si dhe 500 ushtarë në Milano për të frenuar protestat e dhunshme

Të martën, më 20 tetor 2026, qeveria italiane miratoi një dekret të ri për sigurinë. Miratimi i tij vjen pas përplasjeve dhe trazirave që u regjistruan të shtunën dhe të dielën e kaluar në disa qytete të Italisë, por kryesisht në Milano. Dekreti parashikon ashpërsimin e masave ndaj pjesëmarrësve në protesta të dhunshme, përgjegjësi penale për të miturit nga 14 deri në 18 vjeç, arrestime edhe pas përfundimit të akteve të dhunës, si dhe gjoba të rënda për dëmtimin e pronës publike dhe private.

Ja çfarë ndryshon me dekretin e ri.

Të miturit nën 18 vjeç mund të ndiqen penalisht pa lehtësime për shkak të moshës. Neni i parë i dekretit ndërhyn në përgjegjësinë penale të të miturve. Në dekret është përfshirë një dispozitë që ishte pjesë e një projektligji ende në diskutim në Dhomën e Deputetëve. Ajo parashikon zgjerimin e prezumimit të aftësisë për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet, e për rrjedhojë edhe të përgjegjësisë penale, për të miturit e moshës 14 deri në 18 vjeç.

Kjo do të thotë se, ndryshe nga fëmijët nën 14 vjeç, të miturit nga 14 deri në 18 vjeç mund të ndiqen penalisht pa përfituar lehtësime që lidhen me moshën. Në ndryshim nga dispozita e Kodit Penal që ka qenë në fuqi deri më tani, i mituri do të konsiderohet penalisht i përgjegjshëm, përveç rasteve kur mbrojtja arrin të provojë konkretisht se ai nuk kishte aftësinë për të kuptuar ose kontrolluar veprimet e tij në momentin e kryerjes së veprës. Në këtë mënyrë, ndryshon rregulli i mëparshëm, sipas të cilit ishte akuza ajo që duhej të provonte, rast pas rasti, pjekurinë dhe aftësinë e të miturit për të kuptuar pasojat e veprimeve të tij.

Arrestim edhe pas kryerjes së veprës penale për shkatërrime dhe plaçkitje

Dekreti i ri ndryshon Kodin e Procedurës Penale, duke zgjeruar mundësinë e arrestimit të personave edhe pasi kanë kryer veprën penale, pa qenë e nevojshme të kapen në flagrancë në momentin e ngjarjes. Kjo masë do të zbatohet për shkatërrimin dhe plaçkitjen e pronës, sulmet ndaj objekteve të shërbimeve publike, pjesëmarrjen e dhunshme në protesta dhe dëmtimin e pronës nga grupe personash, me kusht që veprimet e tyre të provohen, për shembull, përmes pamjeve filmike.

Për të përballuar numrin e lartë të arrestimeve, siç ndodhi gjatë trazirave në Milano, ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, njoftoi se dekreti mundëson angazhimin e menjëhershëm të magjistratëve për shqyrtimin dhe vleftësimin e arrestimeve, pa ndjekur procedurat e zakonshme të caktimit të tyre, por duke respektuar afatet ligjore.

Ndalimi i daljes dhe grumbullimit në vende të caktuara, jo vetëm gjatë protestave

Dekreti parashikon zgjerimin e masës së ashtuquajtur “ndalim parandalues”, e cila nuk do të zbatohet vetëm gjatë protestave. Shtrëngimi i masave synon të parandalojë edhe veprimet e grupeve të dhunshme, të cilat ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, i ka cilësuar si “banda që enden duke shkaktuar trazira”, si ato që u panë në qendër të Milanos edhe në mungesë të një proteste të organizuar.

Një formë e kësaj mase parandaluese është paralajmërimi verbal i lëshuar nga kuestori, drejtuesi i policisë në nivel lokal, përmes të cilit mund të ndalohet grumbullimi në vende të caktuara dhe, në disa raste, në orare të caktuara. Masa zbatohet kur pesë ose më shumë persona, edhe kur veprojnë si grup, shfaqin sjellje kërcënuese, shqetësuese ose të dhunshme ndaj personave apo pronës.

Ndalimi parandalues u vendos për herë të parë në shkurt të këtij viti. Me ndryshimet e miratuara, ai mund të zbatohet edhe ndaj personave që kryejnë “veprime dhe akte që cenojnë rendin dhe sigurinë publike në vende të karakterizuara nga një prani e konsiderueshme njerëzish”. Kjo masë do të mund të zbatohet gjithashtu edhe ndaj të miturve të moshës 14 deri në 18 vjeç.

Burg dhe gjoba të rënda për trazirat gjatë protestave

Me dekretin e ri krijohet vepra penale e pjesëmarrjes së dhunshme në një manifestim. Ajo ndëshkon personat që grumbullohen në grupe prej pesë ose më shumë vetash dhe hedhin gurë, fishekzjarrë apo përdorin shkopinj, duke vënë në rrezik sigurinë publike.

Gjatë prezantimit të dispozitës, ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, përmendi përdorimin e shkopinjve dhe mjeteve të forta, por edhe “hedhjen e raketave piroteknike, flakadanëve dhe fishekzjarrëve, që rrezikojnë sigurinë fizike të njerëzve”. Për këtë vepër penale parashikohet dënim me burg nga 2 deri në 5 vite, ndërsa gjoba administrative mund të arrijë deri në 20 mijë euro. Dënimi ashpërsohet në rastet kur autorët mbulojnë ose fshehin fytyrën për të mos u identifikuar, si dhe kur veprimet e tyre shkaktojnë persona të plagosur.

Ndërkohë, organizimi dhe nxitja e grupeve të dhunshme përbën një vepër penale më vete, e cila dënohet me burgim nga 4 deri në 12 vite. Kjo dispozitë zbatohet edhe kur organizimi ose nxitja e grupeve të dhunshme kryhet përmes mjeteve informatike dhe telematike, përfshirë platformat dhe kanalet e komunikimit në internet.

Forcohet operacioni “Rrugë të Sigurta”, 500 ushtarë të tjerë në Milano

Qeveria italiane ka miratuar gjithashtu forcimin e operacionit “Strade Sicure” (Rrugë të Sigurta). Në kuadër të kësaj mase, 500 ushtarakë shtesë do të dërgohen në Milano, ku do të qëndrojnë të paktën deri më 31 dhjetor. Prania e tyre do të shërbejë për forcimin e pikave të sigurisë, shtimin e mbikëqyrjes së objekteve dhe zonave të ndjeshme, si dhe rritjen e kapaciteteve për kontrollin e territorit.

Sipas autoriteteve italiane, angazhimi i ushtarakëve do të ndihmojë gjithashtu në shpërndarjen më efikase të burimeve njerëzore, duke u mundësuar policisë dhe karabinierëve të përqendrojnë më shumë personel në parandalimin e veprave penale, ndërhyrjet në terren, luftën kundër kriminalitetit dhe garantimin e rendit publik.

Megjithatë, nuk u miratua propozimi për zgjerimin e detyrave dhe kompetencave të ushtarakëve, i cili do t’u jepte atyre kompetenca të ngjashme me ato të oficerëve të policisë gjyqësore.

Ministria italiane e Mbrojtjes njoftoi se ushtarakët do të veprojnë “në koordinim me forcat e policisë dhe duke respektuar kompetencat përkatëse”.

“Kush shkatërron, paguan”, prindërit do të dëmshpërblejnë dëmet e shkaktuara nga të miturit

Parimi i dekretit të ri është i qartë: “Kush shkatërron, paguan”. Nëse dëmet shkaktohen nga një i mitur, përgjegjësia financiare bie mbi prindërit e tij. Një nga risitë e dekretit është vendosja e procedurave të përshpejtuara për dëmshpërblimin e dëmeve të shkaktuara gjatë manifestimeve të dhunshme. Në rastet kur dëmtohet prona publike, si stacionet e autobusëve apo semaforët, prefekti do të lëshojë urdhrin për pagesën e dëmit.

Ndërsa kur dëmet shkaktohen ndaj pronës private, si në rastet e shkatërrimit të dyqaneve, thyerjes së vitrinave apo akteve vandale ndaj makinave dhe motoçikletave të parkuara, pronari i pronës së dëmtuar do të ketë mundësi t’i kërkojë gjykatës një urdhër pagese me fuqi të menjëhershme ekzekutive. Dekreti përcakton gjithashtu përgjegjësinë financiare të prindërve për aktet e dhunshme të kryera nga fëmijët e tyre të mitur.

Në rastet e “dhunës ndaj personave ose sendeve, të kryer nga një i mitur, edhe kur ai nuk mban përgjegjësi penale”, gjoba administrative

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha