Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Showbiz

Ki mendjen në rrugë, nga mesazhi i fundit te lajmi i hidhur, rrëfimi rrëqethës i bashkëshortes së Diogo Jotës: Mendoja se ishte shaka, nuk e besoja dot

Ki mendjen në rrugë, nga mesazhi i fundit te lajmi i hidhur, rrëfimi rrëqethës i bashkëshortes së Diogo Jotës: Mendoja se ishte shaka, nuk e besoja dot

Vetëm 11 ditë pas martesës me dashurinë e jetës së tij, Diogo Jota humbi jetën në një aksident tragjik automobilistik në Spanjë, së bashku me vëllain e tij, André Silva.

Bashkëshortja e futbollistit, Rute Cardoso, ka rrëfyer me detaje momentet e ankthit, mesazhet që mbetën pa përgjigje dhe çastin kur mori lajmin që i ndryshoi jetën përgjithmonë.

Periudha e suksesit dhe tragjedia e 3 korrikut

Në verën e vitit 2025, Diogo Jota po përjetonte një nga periudhat më të bukura të jetës së tij. Sulmuesi portugez sapo kishte fituar Premier League-n me Liverpulin dhe Ligën e Kombeve me Portugalinë, ndërsa pak ditë më parë kishte kurorëzuar dashurinë e tij me Rute Cardoson, partneren që njihte që nga fëmijëria.

Por lumturia u kthye në tragjedi. Më 3 korrik 2025, Jota dhe vëllai i tij, André Silva, humbën jetën pasi automjeti Lamborghini me qira, me të cilin po udhëtonin në Spanjë, u përfshi në një aksident në autostradë.

Rrëfimi i Rute Cardosos është pjesë e librit biografik “Diogo Jota: Përgjithmonë në Zemrat Tona”, i cili sjell kujtime nga jeta dhe karriera e futbollistit, përmes dëshmive të familjarëve, shokëve të skuadrës dhe trajnerëve të tij.

Në rrëfimin e saj, Rute tregon se marrja me qira e makinave sportive ishte diçka e pazakontë për bashkëshortin e saj.

“Ndryshe nga shumica e futbollistëve, të cilëve u pëlqejnë makinat luksoze, bizhuteritë dhe orët e shtrenjta, Diogo nuk ishte i dhënë pas këtyre gjërave. Ishte i kënaqur me makinat që kishim”, kujton ajo.

Megjithatë, gjatë pushimeve të verës, Jota kishte vendosur të provonte fillimisht një Ferrari dhe më pas një Lamborghini, të cilin duhej ta kthente në Santander të Spanjës.

Përpara nisjes, Diogo dhe André shkuan në shtëpinë e motrës së Rutes, ku familjarët patën mundësinë të kalonin edhe pak kohë me ta.

Rute kujton se, pasi i përcolli, i dërgoi bashkëshortit një mesazh të thjeshtë: “Udhëtim të mbarë”.

Ai iu përgjigj me një emoji, ndërsa ajo i kërkoi të përqendrohej te rruga.

Ky do të ishte mesazhi i fundit që Diogo do t’i kthente.

Në orët e para të udhëtimit, gjithçka dukej normale. Diogo dhe André planifikonin të ndalonin për të kaluar natën në një hotel në Benavente, Spanjë, përpara se të vazhdonin rrugën drejt Santanderit.

Rreth orës 22:40, Rute mori nga fotografi videon e një surprize që ajo dhe shoqërueset e saj kishin përgatitur për dasmën: një kërcim të veçantë për Diogon.

Ajo e ndau videon në grupin e tyre të bisedave dhe, e emocionuar, ia dërgoi edhe bashkëshortit.

“Kur të ndalosh, kam një video për të të treguar”, i shkroi ajo.

Në fillim, Rute nuk u shqetësua. Ajo e dinte se bashkëshorti ishte duke udhëtuar dhe mendonte se ai do ta shihte mesazhin sapo të ndalonte.

Por, me kalimin e kohës, situata ndryshoi. Kur i shkroi sërish, mesazhet nuk po dorëzoheshin më. Ajo provoi të kontaktonte edhe André Silva, por pa sukses.

Rute u përpoq të gjente një shpjegim, duke menduar se dy vëllezërit mund të ndodheshin në një zonë pa sinjal ose se telefonat mund t’u ishin fikur.

Megjithatë, ndjesia se diçka e rëndë kishte ndodhur nuk e linte të qetë.

Kërkimi i lajmit dhe konfirmimi i humbjes

E shqetësuar, Rute kontaktoi një mikeshë për të mësuar emrin e hotelit ku duhej të qëndronin Diogo dhe André. Më pas telefonoi drejtpërdrejt hotelin, por mori një përgjigje që e shtoi edhe më shumë ankthin: dy vëllezërit nuk kishin mbërritur.

Ajo kontaktoi edhe një spital në Benavente dhe u përpoq të lidhej me policinë spanjolle, por nuk arriti të merrte informacion.

Më në fund, motra e saj sugjeroi të telefononin dajën Vítor, një shofer kamioni që mund të kishte mundësi të komunikonte me autoritetet lokale.

Gjatë telefonatës, Rute dëgjoi dajën të përsëriste në spanjisht fjalët: “Po, dy vëllezër”.

Në atë çast, frika e saj u bë edhe më e madhe. Pak më vonë, dëgjoi një tjetër fjali që do t’i mbetej përgjithmonë në kujtesë.

“Trupat po transportohen”, i tha daja kunatit të saj.

Rute nuk arrinte ta pranonte atë që po dëgjonte. Mendja e saj përpiqej të gjente një shpjegim tjetër, ndërsa familjarët filluan të kuptonin se kishte ndodhur diçka e tmerrshme.

“Vazhdoja t’i thoja mikeshës sime Catarina: ‘Është një shaka, nuk mund të jetë e vërtetë. Nuk ka asnjë mundësi që kjo të jetë e vërtetë!’”, kujton ajo.

Pak më vonë, një oficer i policisë spanjolle kontaktoi Ruten përmes telefonit të dajës së saj. Pasi konfirmoi identitetin e saj dhe faktin se kishte dokumentin e identifikimit të futbollistit, oficeri i komunikoi lajmin tragjik.

Ai konfirmoi vdekjen e Diogo José Teixeira da Silvës, i lindur më 4 dhjetor 1996.

Rute tregon se në fillim refuzonte ta besonte atë që po ndodhte. Ajo ecte pa pushim në oborrin e shtëpisë së motrës, duke u përpjekur të përballonte dhimbjen dhe duke shpresuar se gjithçka ishte një gabim.

Sipas rrëfimit të saj, atë natë përshkoi rreth 11 kilometra vetëm duke ecur sa andej-këndej.

Dy psikologë nga Instituti Kombëtar i Emergjencave Mjekësore kishin mbërritur për të mbështetur familjarët, por pranimi i humbjes kërkoi kohë.

“Motrat dhe nënat tona qanin. Unë vazhdoja të ecja dhe të përsërisja se nuk mund të ishte e vërtetë”, kujton ajo.

Vetëm kur motra e saj e afroi pranë vetes dhe foli me të nga zemra, Rute nisi të kuptonte realitetin e dhimbshëm.

Pas konfirmimit të vdekjes, Rute duhej të udhëtonte drejt morgut për të marrë sendet personale të bashkëshortit dhe të kunatit të saj.

Ajo kërkoi që automjeti me të cilin po udhëtonte të ndiqte të njëjtën rrugë që kishin përshkuar Diogo dhe André.

Kur mbërritën në kilometrin e 64-t të autostradës, ajo pa mbetjet e makinës së shkatërruar.

Rute tentoi të dilte nga automjeti, por dyert e pasme ishin të kyçura. E dëshpëruar, godiste xhamin nga brenda, përpara se të përpiqej të shkonte drejt vendit të aksidentit.

Një polic e ndaloi dhe i kërkoi të qëndronte në distancë, për të mos u përballur drejtpërdrejt me pamjen e rëndë.

Më pas, ajo vazhdoi drejt morgut, ku e priste babai i saj. Rute kërkoi të shihte bashkëshortin, por nuk iu dha leje ta shihte nga afër. Ajo u lejua ta shihte trupin e tij përmes një dritareje të vogël.

Mes sendeve personale që iu dorëzuan ishin ora, portofoli dhe unaza e martesës së Diogo Jotës.

Pas kësaj, trupat u transportuan drejt një agjencie funerale dhe familjarët u kthyen në Portugali.

Rute udhëtoi në të njëjtin furgon me trupin e bashkëshortit, e shoqëruar nga mikeshja e saj Catarina. E rraskapitur fizikisht dhe emocionalisht, ajo më në fund e zuri gjumi gjatë rrugës.

Historia e Diogo Jotës është një nga humbjet më të dhimbshme që ka përjetuar bota e futbollit vitet e fundit. Sulmuesi portugez ishte një figurë e rëndësishme për Liverpulin dhe përfaqësuesen e Portugalisë, ndërsa vdekja e tij shkaktoi reagime të shumta nga tifozët, shokët e skuadrës dhe personalitetet e futbollit.

Libri “Diogo Jota:

Burimi: top-channel.tv

Të fundit Të gjitha