Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Showbiz

Modelja e njohur flet me lot për humbjen e të birit

Modelja e njohur flet me lot për humbjen e të birit

Ebru Şallı ka rrëfyer hapur për aspektet e jetës së saj personale, ndjenjën e vetmisë dhe dhimbjen e thellë që e shoqëron pas ndarjes nga jeta të djalit të saj, Pars Tan.

E ftuar në emisionin “Empathy”, të drejtuar nga Ahmet Mümtaz Taylan, modelja dhe prezantuesja turke nuk i mbajti dot lotët ndërsa kujtoi të birin, i cili ndërroi jetë në moshën 9-vjeçare pas një beteje të gjatë me limfomën.

Gjatë bisedës, Şallı tregoi se prej tre vitesh jeton e vetme dhe se tashmë është mësuar me këtë mënyrë jetese.

Ajo pranoi se përvojat e së shkuarës kanë ndryshuar pikëpamjen e saj për martesën dhe se nuk ka ndërmend të lidhë sërish kurorë.

“Besimi im te martesa është lëkundur. Kam pasur një martesë të bukur dhe të gjatë, por më pas vendosëm të ndaheshim. Edhe sot jemi miq shumë të mirë. Kemi fëmijë. Por, nëse më pyesni nëse do të martohesha përsëri, për momentin kjo nuk është për mua. Nuk do ta preferoja më martesën”, u shpreh ajo, duke shtuar se e shijon vetminë dhe ndihet mirë me jetën që ka zgjedhur.

Mesazhi për bukurinë dhe vajzat e reja

Şallı foli edhe për bukurinë, duke përcjellë një mesazh për vajzat e reja.

“Askush nuk duhet të mbështetet vetëm te bukuria. Unë nuk jam mbështetur kurrë vetëm te pamja ime. Gjithmonë jam përpjekur t’i shtoj diçka vetes dhe kam punuar fort”, deklaroi ajo, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit personal dhe përkushtimit.

Dhimbja për djalin Pars

Momenti më prekës i intervistës ishte ai kur foli për djalin e saj, Pars. Duke kujtuar betejën e tij me sëmundjen, Ebru Şallı tha se e ngushëllon mendimi që i biri nuk vuajti më gjatë.

Ajo nuk arriti t’i mbante lotët teksa ndante dhimbjen e humbjes.

“Zoti mos ia dhëntë askujt ta përjetojë këtë. Mos e provoftë askënd me fëmijën e tij. Unë nuk u dorëzova kurrë. Zoti e pa të arsyeshme kështu dhe ma mori Parsin. Jam mirënjohëse për këtë”, u shpreh ajo.

Me këtë rrëfim, Şallı tregoi anën e saj më të ndjeshme, duke folur me sinqeritet për humbjen e të birit dhe për mënyrën se si ka mësuar të vazhdojë jetën pavarësisht dhimbjes. /Prive By LS

Burimi: privebruto.com

Të fundit Të gjitha