Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Sekretariati i Etikës mblidhet sot, PS kërkon përjashtimin e 20 deputetëve të PD-së pas përplasjeve në Kuvend

Sekretariati i Etikës mblidhet sot, PS kërkon përjashtimin e 20 deputetëve të PD-së pas përplasjeve në Kuvend

Sekretariati i Etikës në Kuvend do të zhvillojë sot në orën 10:00 një mbledhje online, ku do të shqyrtojë kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste për përjashtimin e 20 deputetëve demokratë, si pasojë e tensioneve të ndodhura në seancën parlamentare të ditës së djeshme.

Kërkesa për përjashtimin e deputetëve demokratë

Për deputetët që akuzohen për sulme fizike, përkatësisht Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Xhaferri, PS kërkon përjashtimin nga Kuvendi për një periudhë dy mujore. Ndërsa për 14 deputetët e tjerë demokratë, të cilët bllokuan foltoren, kërkohet masa e përjashtimit për 10 ditë.

Gjatë seancës së djeshme, Flamur Noka sulmoi fizikisht kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ndërkohë, deputeti demokrat Fidel Kreka goditi me bllokun e votimit ish-ministrin Ervin Hoxha.

Për deputetët Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi, të cilët morën pjesë në bllokimin e foltores duke penguar zhvillimin e rregullt të seancës plenare, kërkohet përjashtim për 10 ditë.

Votimi i projektligjeve në seancën plenare

Kujtojmë se, pavarësisht përplasjeve të forta, në seancën plenare të ditës së djeshme u votuan 6 projektligje të rendit të ditës dhe 3 projektvendime, mes të cilave edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Territoriale.

Burimi: sot.com.al

Të fundit Të gjitha