TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka publikuar një reagim mbi rëndësinë e dialogut dhe respektimit të institucioneve, në lidhje me protestat e organizuara ditët e fundit në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gogu thekson se institucionet mund të kritikohen dhe t’u kërkohet llogari, por thekson se dhuna nuk përbën rrugë për zgjidhjen e problemeve.
Qëndrimi i ministrit Gogu
“Institucionet nuk goditen, por sfidohen me argumente dhe dialog”, shprehet ministri, duke theksuar se pakënaqësitë duhet të kthehen në zgjidhje përmes komunikimit.
Në postimin e tij, Gogu ndan edhe mesazhin e Leopoldo-s, anëtar i World Jurist Association dhe pjesë e ekipit të World Law Foundation, i cili gjatë ditëve të fundit ka qenë në Tiranë dhe ka ndjekur nga afër protestat.
Mesazhi i Leopoldo-s
Ai shprehet se i kupton kërkesat e studentëve për akses në arsim dhe mundësi më të mira punësimi, por thekson se shteti i së drejtës duhet të respektohet në të dyja drejtimet.
“Kur kërkon diçka nga qeveria jote, duhet gjithashtu të marrësh në konsideratë që duhet ta bësh në mënyrën e duhur”, thuhet në mesazhin e tij.
Leopoldo nënvizon se institucionet publike, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, u përkasin qytetarëve dhe se dialogu duhet të jetë përgjigjja ndaj pakënaqësive dhe kërkesave për ndryshim.
/e.i/a.f/
Burimi: ata.gov.al









