Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Deputeti i PS u përgjigjet studentëve: Më ndihmoni t’i denoncojmë rastet e korrupsionit në mjekësi

Deputeti i PS u përgjigjet studentëve: Më ndihmoni t’i denoncojmë rastet e korrupsionit në mjekësi

Deputeti i Partisë Socialiste, Adi Qose, ishte i ftuar të premten në emisionin “Review” me Greta Topjanën në Euronews Albania, ku foli për protestën e studentëve. Ai iu përgjigj edhe studentes së mjekësisë, Dhimitra Nushi, e cila renditi problemet që has me kushtet në spitale.

Mekanizmat e punësimit sipas Qoses

Gjatë fjalës së tij, Qose theksoi se qeveria ka krijuar mekanizma që garantojnë meritokracinë, duke përmendur si shembull portalin e punësimit për mjekët dhe infermierët. Sipas tij, ky sistem ka hequr ndikimet në procesin e punësimit.

Lidhur me pretendimet për përfshirjen e të afërmve të politikanëve në specializime dhe punësime, deputeti theksoi se fëmijët e zyrtarëve kanë të drejtë të arsimohen, por shtoi se çdo padrejtësi duhet të denoncohet me emra dhe mbiemra.

 “Dua t’i them sot Dimitrës se jemi ne kjo qeveri e cila në këto 13 vite ka ndërtuar një portal që u mundëson infermierëve dhe mjekëve, që në përfundim të studimeve, të bëhen pjesë e këtij portali për të siguruar pozicionin e tyre të punës. Një mekanizëm që deri dje nuk ekzistonte.

Deri dje ishte në dorën e X-it ose të Y-it të zgjidhte kush janë mjekët dhe infermierët që do të punësohen në spitalet e Shqipërisë. Sot jo më. Sot, përmes një portali, ne kemi bërë të mundur që gjithkush të konkurrojë dhe, në bazë të meritokracisë dhe pikëve që merr, të punësohet në spitalet e Shqipërisë.

Këto janë arsye pse ne duhet të diskutojmë, këto janë arsye pse ne duhet të dialogojmë me njëri-tjetrin, dhe patjetër shqetësimi duhet të ekzistojë dhe duhet të jetë aty gjithmonë për t’i vënë të gjithë përballë përgjegjësisë se si mund ta bëjmë më mirë, se si të rinjtë shqiptarë mund të kenë më shumë mundësi nesër për punësim. Por po përmend vetëm një fakt.

Portali është një fakt që ka shtuar meritokracinë e punësimit të infermierëve dhe të mjekëve sot në spitalet e Shqipërisë. Sa i përket specializimit që po më përmendni, mendoj se nuk na përshtatet, sidomos ne të rinjve, të flasim për specializim. Ka hyrë vajza, ka hyrë djali i një ministri, i një deputeti.

Denoncimi i rasteve me emra

Të inkurajoj dhe të ftoj që të jemi të dy bashkë dhe t’i denoncojmë rastet se kush është ky djali i këtij deputeti, kush është djali i këtij ministri. Të inkurajoj jo vetëm ty, por këdo tjetër, të rinj, pedagogë, kushdo qytetar që njeh një rast të tillë, ku fëmija i një deputeti ose i një ministri, me emër dhe mbiemër, të vijë dhe ta denoncojmë nëse ka fituar padrejtësisht.

Por ji e sigurt që edhe fëmija i një deputeti dhe i një ministri ka të drejtë të arsimohet, apo duhet t’ua ndalojmë këtyre fëmijëve të arsimohen? Nëse ke prova të mjaftueshme, jo vetëm ti, por kushdo, hajde t’i denoncojmë rastet. Ne jemi këtu t’i denoncojmë, t’i diskutojmë, t’i çojmë para përgjegjësisë, por jo të themi atje fitojnë djemtë e deputetit, atje fitojnë djemtë e ministrit, sepse këto janë informacione të pabaza, të cilat e mbingarkojnë opinionin publik me një informacion që mundet ose mund të mos jetë i vërtetë,” tha ai.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha