Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur kritika për mungesën e debatit mbi çështjet ekonomike dhe problemet e përditshme që prekin qytetarët, duke theksuar se Aleanca kërkon që diskursi politik të fokusohet në politika konkrete.
Në emisionin “Context” në ATV, Gjini deklaroi se shumica dërrmuese e politikanëve nuk janë të përgatitur për të adresuar temat që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve.
“Shumica dërrmuese e kolegëve të mi në politikë janë plotësisht të papërgatitur. Askush nuk diskuton për tema ekonomike. Aleanca po këmbëngul që të trajtohen politikat”, u shpreh Gjini.
Perspektiva e të rinjve dhe kushtet e pensionistëve
Ai theksoi nevojën për të diskutuar perspektivën e të rinjve pas përfundimit të studimeve dhe kushtet e jetesës së pensionistëve, të cilët, sipas tij, meritojnë të shijojnë pleqërinë pas dekadave të punës.
“Çfarë mund të bëjë një i ri që përfundon fakultetin në Gjilan? Çfarë po bën një pensionist që ndodhet në vitet e arta të pleqërisë, i cili duhet ta kalojë jetën mirë pasi ka kaluar gjithë atë mund për 50 vjet?”, pyeti ai.
Gjini kritikoi gjithashtu atë që e quajti paraqitje të pasaktë të gjendjes ekonomike të qytetarëve, duke thënë se njerëzit po përballen me kushte gjithnjë e më të vështira dhe me varfëri.
Fokusi te problemet ekonomike dhe sociale
Kreu i Aleancës theksoi se, përveç mbrojtjes së qëllimeve strategjike të Kosovës dhe historisë së saj, duhet kushtuar vëmendje e veçantë edhe problemeve ekonomike dhe sociale.
“Aleanca dhe unë nuk heqim dorë nga qëllimet strategjike të Kosovës, nuk heqim dorë nga historia, do ta mbrojmë deri në fund. Por nuk guxojmë ta kthejmë të gjithë fokusin dhe energjinë vetëm atje dhe të mos merremi me mënyrën se si po jetojnë njerëzit”, u shpreh Gjini.
Duke folur për autostradën e Gjilanit, ai tha se Aleanca e njeh rëndësinë e këtij projekti dhe se, sipas tij, kryeministri Albin Kurti nuk po i kushton vëmendjen e duhur.
“Kur flasim ne për autostradën e Gjilanit, e dimë që Kurti nuk është duke dhënë as pesë para”, përfundoi Gjini.
Burimi: pressonline.al










