Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Ribaj: Depozitat janë të sigurta, politika të mos përzihet me bankat! Beqiri: Turizmi do të marrë goditjen më të rëndë

Ribaj: Depozitat janë të sigurta, politika të mos përzihet me bankat! Beqiri: Turizmi do të marrë goditjen më të rëndë

Prej disa muajsh, Shqipëria është përfshirë nga një cikël protestash që nisën fillimisht kundër projektit të resortit në Zvërnec dhe më pas u shndërruan në shprehje pakënaqësie nga ana e studentëve. Prej më shumë se një jave, protestat kanë marrë karakter të dhunshëm dhe kanë sjellë pasoja edhe në planin financiar.

Dëmet financiare të protestave

Çfarë po shkakton dhuna? Më e dukshmja është dëmtimi, thyerja apo edhe plaçkitja e bizneseve. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve, fatura financiare e deritanishme arrin rreth 2.15 milionë euro, e kufizuar vetëm në bizneset e vogla. Në këtë shifër nuk përfshihen dëmet e shkaktuara në infrastrukturën publike, si ministritë, gjykatat, rrugët, trotuaret, semaforët, koshat e plehrave apo stacionet e transportit urban. Po ashtu, nuk llogariten dëmet në bizneset e mëdha, përfshirë bankat, të cilave u janë dëmtuar 45 degë dhe 53 bankomate.

Çfarë ndodh me aktivitetin ekonomik kur protestat zgjasin për një periudhë të gjatë?

A ndikohen depozitat, kreditë apo interesat bankare nga sulmet ndaj bankave dhe çfarë efekti kanë këto ngjarje te besimi i qytetarëve? Një çështje tjetër është edhe fatura ekonomike e protestave dhe kush e paguan atë në fund: qeveria, bizneset apo qytetarët.

Për këto shqetësime foli në emisionin ‘Portofol’ në Report TV eksperti i tregut bankar, Artur Ribaj, i cili theksoi se dëmtimi i bankave nuk cenon sigurinë e depozitave, por mund të krijojë panik te klientët dhe punonjësit e tyre.

“Sektori bankar është industri besimi dhe i shërben të gjithëve pa përjashtim. Nëse ne godasim dhe dëmtojmë këtë sistem, është sikur të ndalosh qarkullimin e gjakut në trupin e një vendi duke bërë të pamundur që të funksionojë. Aty gjenden kanalet që vendosin ccdo gjë në lëvizje. Nëse ti bllokon paranë të qarkullojë atëherë e paralizon jetën normale të njerëzve. Ndaj për këtë arsye, e gjithë politika duhet të qëndrojë larg bankave. Sistemi bankar duhet të ketë pavarësi të plotë e të sigurojë transparencë, qëndrueshmëri e stabilitet. Jemi duke dëmtuar vetveten. Nuk ka asnjë cënim të sigurisë së depozitave të publikut se u vodh një bankomat apo një bankë. Nuk cënohet siguria e depozitave. Bankat kanë një mbulim të veçantë për sigurinë nga dëmet e shkaktuara edhe nga raste të tilla. Do të jenë të dëmshpërblyera nga kompanitë e sigurimit që do të kompensojnë dëmet e shkaktuara. Problemi qëndron në cënimin e besimit të sigurisë që krijon panik tek klientët dhe punonjësit e bankave. Industria bankare e ka të parashikuar dëmet fizike që mund të shkaktohen. Nuk duhet të trembemi dhe të vendosim panik. Bankave duhet tu sigurohet mbrojtja që të bëjnë biznes në mënyrë normale. Ato presin nga shteti t’i mbrojë” tha Ribaj.

Ndikimi në investime dhe imazhin e vendit

Protestat dhe sulmet ndaj bizneseve kanë ngritur shqetësime për ndikimin në ekonomi dhe besimin e investitorëve vendas e të huaj. Dhoma Amerikane e Tregtisë ka paralajmëruar përmes një deklarate se goditja e bizneseve mund të largojë investitorët. Por sa real është ky rrezik dhe cilat janë pasojat për ekonominë? Eksperti i ekonomisë dhe ish-drejtori i Agjencisë së Investimeve, Gent Beqiri, vlerëson se protestat në vetvete nuk i largojnë investitorët, por pasiguria dhe mungesa e parashikueshmërisë mund të ndikojnë në vendimet e tyre. Sipas tij, dëmi më i madh lidhet me imazhin e vendit, turizmin dhe bizneset e vogla që humbasin aktivitetin, edhe kur nuk pësojnë dëme fizike.

“Pjesa e protestave, lëvizjeve dhe kërkesave janë pjesë e zhvillimit demokratik. Nuk jemi të vetmit që dalim në rrugë apo që shohim këto pamje që janë të zakonshme në Europë. Një investitor nuk largohet se protestohet. Ajo që e largo një investiror është pasiguria kur bëhet e paparashikueshme. Në këto ditë të rënda ne shohim turistë në rrugët e Tiranës. Pjesa e dëmit të imazhit, stabilitetit të gjatë në kohë është dëmi më i madh se një protestë e tillë për një periudhë kohe. Fatura më e rëndë është fatura e imazhit dhe goditjes së turizmit. Është një imazh që filluam ta rregullojmë dhe ky është dëmi i parë. Hotelet janë pa aktivitet ndonëse nuk kanë dëme fizike. Goditja e sistemit bankar është patjetër një dëm i pallogaritshëm. Ka shumë biznese të vogla që preken nga mos aktiviteti që kanë detyrime fikse po nuk mund të ushtrojnë aktivitetin. Të gjitha këto janë shumë më tepër se vlera. Ndaj duhet ndërhyrje” tha Beqiri

Edhe pse deri më tani nuk ka një listë me kërkesa nga studentët, nga kontaktet në terren, shqetësimet e tyre nisin nga mungesa e financimit të mjaftueshëm për arsim, bursat e tyre, qiratë e larta pasi konviktet s’kanë vend për të gjithë apo mundësitë e tregut të punës pas studimeve.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha