Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Automjetet e vjetra dorëzohen për riciklim falas nga qytetarët

Automjetet e vjetra dorëzohen për riciklim falas nga qytetarët

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Qytetarët që zotërojnë automjete të dala përfundimisht jashtë përdorimit do të mund t’i dorëzojnë ato për trajtim pa paguar, edhe kur makina nuk ka më vlerë tregu ose kur kostoja e trajtimit tejkalon vlerën e saj.

Qeveria shqiptare ka hartuar një projektvendim të ri normativ që synon reformimin e plotë të sistemit të menaxhimit të automjeteve të vjetra dhe pjesëve të tyre përbërëse.

Ky projektvendim i propozuar nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, vjen si një detyrim për përafrimin e legjislacionit kombëtar me Direktivën 2000/53/KE të Bashkimit Evropian, duke shfuqizuar kuadrin e vjetër ligjor të vitit 2012.

Dorëzimi pa kosto dhe përjashtimet

Sipas projektvendimit, qytetarët do të mund t’i dorëzojnë makinat e tyre te operatorët e autorizuar për shkatërrim dhe riciklim, pa paguar për marrjen në dorëzim, edhe kur automjeti nuk ka më vlerë tregu.

Neni 10 i projektvendimit përcakton se “Operatori i autorizuar i trajtimit dhe subjektet e parashikuara në pikën 4, të nenit 8, të këtij vendimi, e marrin në dorëzim automjetin në fund të jetës pa asnjë kosto për zotëruesin ose pronarin e fundit, edhe kur automjeti nuk ka vlerë tregu ose ka vlerë tregu negative”.

Megjithatë, parashikohen dy përjashtime. Operatori mund t’i kërkojë pronarit pagesën e kostove të trajtimit nëse automjetit i mungojnë pjesët kryesore, veçanërisht motori ose karroceria, ose nëse brenda makinës janë vendosur mbetje që nuk i përkasin asaj.

Për individët që importojnë një automjet për përdorim personal, projektvendimi nuk përcakton një tarifë të re për financimin e sistemit të riciklimit. Detyrimet për përballimin e kostove u referohen prodhuesve, term që në dokument përfshin edhe importuesit profesionistë të automjeteve.

Konkretisht, neni 4 përcakton se “Prodhues” është prodhuesi i automjetit ose importuesi profesional i automjetit në Republikën e Shqipërisë.

Kjo kategori përfshin kompanitë dhe subjektet që importojnë automjete në kuadër të aktivitetit të tyre tregtar, ndryshe nga një qytetar që blen dhe sjell një automjet nga jashtë për nevojat e veta personale. Projektvendimi nuk jep një përkufizim më të hollësishëm për importuesin profesional dhe as një prag të numrit të makinave të importuara.

Për subjektet që përfshihen në kategorinë e prodhuesve, neni 10 përcakton se “Prodhuesit përballojnë, tërësisht ose në një pjesë të konsiderueshme, kostot e zbatimit të pikës 1 të këtij neni, sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit”.

Në relacionin shoqërues, sqarohet se “Rregullat e hollësishme për përballimin e kostove nuk përcaktohen në këtë projektvendim, por në legjislacionin në fuqi për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit”.

Për rrjedhojë, dokumenti nuk përcakton një tarifë fikse në lekë për kompanitë që prodhojnë ose importojnë automjete, ndërsa nuk vendos shprehimisht një pagesë për individët vetëm për faktin se importojnë një makinë për përdorim personal. Kjo nuk përjashton taksat apo detyrimet e tjera që mund të zbatohen për importin dhe regjistrimin e automjeteve sipas legjislacionit përkatës.

Procedura e çregjistrimit dhe automjetet e braktisura

Ndryshimet prekin edhe procedurën e heqjes përfundimtare të makinave nga qarkullimi. Çdo automjet i dalë jashtë përdorimit do të duhet të dorëzohet për trajtim te një operator i autorizuar. Pronari duhet të paraqesë dokumentacionin që vërteton pronësinë ose të drejtën e disponimit të mjetit, me përjashtim të rasteve të veçanta të parashikuara në projektvendim.

Operatori i autorizuar do të lëshojë certifikatën e shkatërrimit, e cila është e nevojshme për çregjistrimin përfundimtar të makinës nga regjistri i mjeteve rrugore. Dokumenti do të ketë një kod serial unik të dhënë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Sipas nenit 11, “Lëshimi i certifikatës së shkatërrimit nuk i jep operatorit të autorizuar të trajtimit të drejtën të kërkojë rimbursim financiar për këtë veprim”.

Për automjetet e braktisura, projektvendimi u ngarkon bashkive, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, identifikimin dhe heqjen e tyre nga territori. Para dorëzimit për shkatërrim do të verifikohet pronësia dhe gjendja juridike e automjetit, ndërsa pronari duhet të njoftohet sipas procedurave ligjore.

Detyrime të reja parashikohen edhe për bizneset që merren me grumbullimin, çmontimin dhe riciklimin e makinave. Ato duhet të plotësojnë standardet teknike dhe mjedisore për ruajtjen e mjeteve, heqjen e vajrave, karburanteve dhe lëngjeve të rrezikshme, si dhe ndarjen e pjesëve që mund të ripërdoren.

Gjithashtu në relacion thuhet se “Zbatimi i projektvendimit kërkon që operatorët ekonomikë që ushtrojnë veprimtari në fushën e grumbullimit, të çmontimit ose të trajtimit t’i përshtatin vendet e ruajtjes dhe të trajtimit me kërkesat minimale teknike të shtojcës 1”. Për subjektet ekzistuese parashikohet një afat përshtatjeje prej 18 muajsh nga hyrja në fuqi e vendimit.

Projektvendimi vendos gjithashtu objektiva të detyrueshëm për riciklimin, ku nga 1 janari 2028, të paktën 85% e peshës mesatare të automjeteve të dala jashtë përdorimit duhet të ripërdoret ose rikuperohet, ndërsa të paktën 80% të ripërdoret ose riciklohet.

Nga 1 janari 2030, këto objektiva rriten përkatësisht në 95% dhe 85%.

Në relacionin shoqërues thuhet se zbatimi i këtij projektvendimi nuk ka efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit.

Rregullat e reja do të zëvendësojnë vendimin nr. 705, datë 10 tetor 2012, për menaxhimin e mbetjeve të automjeteve në fund të jetës.

Projektvendimi është hartuar në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe mbetet ende në fazën e projektit.

/k.s/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha