Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Aktualitet

Korça pret pishat për Liceun Francez, aktivisti kërkon transparencë nga institucionet

Korça pret pishat për Liceun Francez, aktivisti kërkon transparencë nga institucionet

Pishat e vjetra pranë Fakultetit të Shkencave Humane në Korçë po priten për të krijuar hapësirë për projektin e Liceut Francez.

Denoncimin e ka bërë Leonard Olli, drejtues i Fondacionit “Ndihmojmë Korçarët”, i cili kërkon transparencë për projektin dhe arsyet e ndërhyrjes.

“Për mua është një masakër e pastër mjedisore dhe për më tepër në kushtet e mungesës absolute të transparencës dhe të asaj çfarë po ndodh. Është një nga zonat pothuajse muzeale të qytetit, ndër mushkëritë e gjelbra që ndikon ende në ekosistemin e Korçës dhe e konsideroj jashtëzakonisht jetike ruajtjen e këtij ambienti”, thotë Olli.

Shqetësimet për mungesën e transparencës

Sipas tij, punonjësit që presin pemët i kanë thënë se kishin marrë urdhër nga Bashkia e Korçës. Ai ngriti shqetësimin se në zonë mungojnë tabelat informuese për punimet dhe kërkon të bëhet e ditur se çfarë parashikon projekti.

“Nuk ka absolutisht asnjë table që përcakton fillim punimesh, asnjë projekt pemë të cilat janë bërë me shenjë të kuqe që sipas pedagogëve të universitetit janë ato që do të priten. Korça nuk ka absolutisht asnjë dijeni për çfarë po ndodh”, vijon ai.

Olli u bëri apel kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe deputetëve të qarkut Korçë, pavarësisht përkatësisë politike, të bëjnë transparencë për ndërhyrjen.

“Z. Niko Peleshi i cili është në të njëjtën kohë edhe deputet përgjegjës i qarkut të Korçës të PS, të interesohen menjëherë dhe të bëjnë çfarë po ndodh me këtë pjesë të qytetit të Korçës”, thotë Olli.

Përgjigja e Bashkisë dhe detajet e projektit

I kontaktuar me telefon, kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, është distancuar nga përgjegjësia për prerjen e pemëve, duke deklaruar se bëhet fjalë për një projekt të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Fondi shpalli në prill tenderin për “Liceun Franko-Shqiptar të Shkencave dhe Inovacionit në Korçë”, me fond limit rreth 633 milionë lekë. Kontrata, me vlerë 435 milionë lekë, u lidh në korrik me bashkimin e kompanive “NDERTIMI” sh.p.k. dhe “NDREGJONI”. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kompanitë fituese kanë marrë leje ndërtimi dhe autorizim për prerjen e pemëve disavjeçare.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha